“Jemi të huazuar dhe jo të privatizuar”, “Nuk lejojmë të shitemi tutje”, ishin disa nga pankartat që mbanin në duar Sindikata “Mbrojtja dhe Siguria”, e cila përfaqëson shërbimin e sigurimit fizik në KEK. Ata kanë protestuar të martën para Qeverisë së Kosovës për të kërkuar të drejtat e tyre që iu takojnë me ligj, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë kërkuar që të kthehen nën ombrellën e KEK-ut, pjesë e të cilës ndërmarrje ishin deri në vitin 2004. Në të kundërtën, ata kanë paralajmëruar grevë që prej 24 marsit.
Kryetari i Shoqatës Sindikale “Mbrojtja dhe Siguria”, Haki Azemi, tha se qëllimi i protestës është që t’iu thonë stop manipulimeve dhe diskriminimeve.
“Ndaj këtij shërbimi të sigurimit asnjëherë nuk u ndalen padrejtësitë. Jemi sot këtu me një synim dhe qëllim të vetëm: T’iu themi stop manipulimeve dhe keqpërdorimit me shërbim të sigurimit të KEK-ut. Askush nuk ka të drejtë me na mbajtë peng të disa grupeve të interesit brenda KEK-ut. Por i kanë kaluar edhe shkallët e KEK-ut. Sepse me punën dhe angazhimin tonë ne e mbrojmë, e sigurojmë përbrenda dhe nga jashtë KEK-un, një korporatë që ia ka lakmi çdo shtet tjetër. Çfarë rëndësie ka korporata për Kosovën më së miri u pa në krizën globale energjetike”.
“Me qindra miliona euro nga shteti të paguara për furnizim të rregullt me energji elektrike. Ne jemi pjesë e saj, ishim dikur. Ne me të drejtë kërkojmë të jemi prapë, të kthehemi aty ku ishim dikur, sepse padrejtësisht na kanë ndarë, tjetërsuar dhe për interesa të grupeve që mund t’i quajë kriminale, të disa individëve të cilët ishin shumë të ngushtë me qeverisjet e kaluar dhe me anën e tenderëve na kanë tenderuar, na kanë shitë dhe na kanë rraskapitur, dhe në fund na kanë plaçkitur. Na kanë plaçkitur e them me plot gojën, sepse nga viti 2004 kur jemi ndarë, kur padrejtësisht na ka ndarë KEK-u nga gjiri vet, sot i kemi pagat e njëjta”, tha ai.
Kryetari i Sindikatës së KEK-ut, Nexhat Llumnica ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që t’iu përgjigjet kërkesave të tyre.
“Ky departament është huazuar në vitin 2004. Mirëpo asnjë e drejtë nuk qenë në atë ligj. Nëse dje ka qenë e padrejtë tenderimi, ligji i Kosovës nuk ka ndryshuar prandaj ende kemi te drejtë. Lus Qeverinë, bordin menaxhues të realizojë kërkesat tona. Nuk kemi punëtorë vetëm pensionistë, kemi edhe të rinj”, tha ai.




