Pas një hetimi instensiv, prokuroria e Tiranës u tërhoq nga hetimet ndaj një të riu, dhe ka kërkuar në gjykatë pushimin e çështjes mbasi akt-ekspertiza vërtetoi se ai vuan nga çrregullimi bipolar.
24-vjeçari kërcënoi përmes Twiterit të Ambasadës Amerikane, kryeprokurorin e SPAK-ut, Arben Kraja, dhe referimi u krye nga agjencia e anti-terrorit në Tiranë.
“Do të fus bombën në gojë ty dhe do t’i bie familjarët në arkmort nëse nuk vazhdon të mos veprosh ndaj SHISH”, shkroi 24-vjeçari në Twiterin e ambasadës të publikuar në datën 25 tetor 2021 dhe ky u vlerësua si një kërcënim për shefin e SPAK.
Nën dyshimet se ky shtetas kishte vepruar edhe herë të tjera në rrjetet sociale anti-terrori i kërkoi prokurorisë ta hetojë shtetasin në fjalë për kanosje për shkak të detyrës, raporton TCh.
Megjithatë një akt-ekspertizë e mjekësisë ligjore vërtetoi problemet e shëndetit mendor të të riut që lidhen me dëmtimin e sferës të të perceptuarit.
Pavarësisht kësaj sipas dosjes që iu tregua Top Channel 24-vjeçari komentoi në llogarinë e ambasadës mbasi ishte ankuar ndaj një sërë institucionesh kryesisht ndaj shërbimit sekret dhe anti-terrorit që sipas tij e akuzojnë se është agjent i CIA .
I riu përsëriti para prokurorisë se kërkonte që shërbimi sekret vendas të hetohej nga SPAK dhe BKH, ndërsa këmbënguli : Jam kundër marrjes së kësaj dëshmie nga vartësit e Gledis Nanos që më herët ka dashur të më arrestojë kur ishte në krye të antiterrorist.
Dosja për pushimin e hetimeve është dorëzuar në gjykatën e Tiranës dhe nuk është hedhur ende në short, prej nga ky gjyqtari do vendosë nëse do ta pushojë apo do ta kthejë pas për hetime të mëtejshme.