Dauti: Objekti i blerë i Kosovës në Londër s’është te zona e ambasadave

| 11 Pri 2023 | 19:11 | Nga

Gazetari Daut Dauti ka folur për zhvendosjen e Ambasadës së Kosovës në Londër në rezidencën e komedianit britanik Spike Milligan, e cila kushton 6.5 milionë funte (7.4 milionë euro).

Dauti tha se objekti i blerë nuk gjendet në zonën ku ndodhen ambasadat e shteteve të tjera.

“Vendi nuk është aq qendror, aq primar, siç po reklamohet nëpër medie në Kosovë e Britani. Vendi i preferuar për ambasada është karshi parkut ku qëndron kjo ambasadë. Ambasadat e shteteve të huaja preferojnë të koncentrohen në Kensington dhe Belgrevia, do të thotë në rajone në anën tjetër të parkut që janë më të shtrenjta. Sikur kjo shtëpi të ishte matanë parkut do të kushtonte edhe më shtrenjtë”, ka thënë Dauti për Klan Kosova.

Sipas Dautit, për kushtet dhe çmimet në Londër ky objekt nuk ka kushtuar shtrenjtë.

Ai po ashtu shtoi se Kosovës do t’i mjaftonte të kishte vetëm një zyrë të vogël në Britani e jo ambasadë.

“Kosova mendoj se nuk ka nevojë të ketë ambasadë fare, do t’i mjaftonte vetëm një zyrë e vogël ta mbajë kontaktin diplomatik”, ka shtuar ai.

Dauti theksoi se një qendër kulturore do të ishte shumë e nevojshme të ndërtohej në Britani.

Të ngjashme