Deputeti i pavarur Haki Abazi, i cili deri pak muaj më parë ishte pjesë e Grupit Parlamentar të LVV-së, është deklaruar për publikimin e audio-incizimit mes shefes së Grupit Parlamentar, Mimoza Kusari-Lila, dhe Sllavko Simiq të Listës Serbe ku përmendej edhe Milan Radojiçiq, i dyshuar për krime.
Abazi tha se me kohë kishte kërkuar dorëheqjen e Kusari-Lilës nga Grupi Parlamentar për shkak të formës manipuluese të menaxhimit.
Ai deklaroi se në asnjë moment nuk është diskutuar në Grup Parlamentar asnjë prej diskutimeve që janë bërë e sidomos me njerëz të inkriminuar në krim.
“Unë kam kërku dorëheqjen e saj prej Grupit Parlamentar që me kohë për shkak të formës manipuluese të menaxhimit të Grupit Parlamentar dhe tani kjo është e qartë se ajo ka bë pazara pa e njoftu Grupin Parlamentar dhe pa i disku fare me askënd prej GP. Në kohën kur ka ndodh kjo kam qenë edhe unë anëtar i Grupit Parlamentar dhe Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme. Asnjëherë në asnjë rrethanë nuk është disku asnjë detaj i diskutimeve që janë bërë dhe aq më tepër bisedave me njerëz të inkriminuar në krim dhe në korrupsion masiv siç është Radojiçiq. Kështu që nuk duhet vendosur as në pikpyetje aspketi moral e mashtrimi që ka ndodh në emër të fuqisë politike që Grupi Parlamentar ka patur”, tha Abazi për “Gazeta Blic”.
Abazi ka bindjen se asnjë nga bisedat në fjalë të Kusari Lilës me Simiqin e ‘Listës Serbe’ nuk janë bërë pa koordinim me kryeministrin Kurti.
“Unë mendoj se ajo nuk ka lëvizur fare pa udhëheqësin e Lëvizjes por kjo në asnjë formë nuk e lë jashtë përgjegjësisë vetë udhëheqësen e Grupit Parlamentar e cila të vetmen detyrë e ka që të diskutojë e të merr pajtueshmërinë për vendimet dhe qëndrimet e Lëvizjes Vetëvendosje brenda Grupit Parlamentar” tha Abazi.