Nënkryetarja e Partia Demokratike e Kosovës, Vlora Çitaku, ka thënë të martën se ish-presidenti Hashim Thaçi është në burg dhe sipas saj, po përballet me betejën e tij të fundit në mbrojtje të luftës së Kosovës për liri.
Reagimi i saj vjen pasi Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar një video, përmes së cilës ka goditur opozitën e tanishme, e cila ishte në pushtet 10 vite më parë.
Videoja e LVV-së doli pasi u publikuar përgjimet ndërmjet deputetes Mimoza Kusari-Lilës dhe Sllavko Simiqit të Listës Serbe.
Në videon propaganduese, LVV-ja thotë se LDK, PDK, AAK dhe AKR kishin nënshkruar në atë kohë aministimin e kriminelëve serbë, ku pikërisht në ditën e Masakrës së Srebrenicës patën votuar PËR 91 deputetë.
E, Çitaku tha se, “Thaçi, përveç që ka pasur guxim me i hy luftës për liri, ka pasur guxim edhe me ndërtu paqe”.
“Me ofru e garantu të drejta për komunitetet jo shumicë. E ka bërë atë me Kushtetutë.
Hashim Thaçi disa i tremb edhe nga burgu”, tha ajo, teksa iu kundërpërgjigj disa akuzave nga LVV-ja.
“Andaj mundohen t’i bëjnë gjygj publik edhe këtu, në një kohë kur ai nuk mund të përgjigjet”, shprehet Çitaku në Facebook.
“E di, ju dhemb. Ai është gjithçka që ju ëndërroni, po nuk jeni. Të mjerë.”.