Blerim Isufaj rizgjidhet kryeprokuror i Prokurorisë Speciale, merr 9 vota të anëtarëve të KPK-së

| 11 Dhj 2023 | 09:57 | Nga Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) me 9 vota për, një kundër e ka rizgjedhur Blerim Isufaj për Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës me mandat katër vjeçar, raporton Ekonomia Online. Nga konkursi i shpallur, Isufja nga kandidatët e tjerë kishte grumbulluar 94.2 pikë.

“Këshilli me nëntë vota për zgjedh Blerim Isufajn Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale me mandat 4-vjeçar, duke filluar nga 1 janari 2024”, tha kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku.

Para votimit Prokurorja Arjan Strajkovci, paraqiti raportin e Komisionit për Rishqyrtim si dhe procesi i votimit për emërimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës.

Rizgjedhja e  Isufajt në këtë pozitë erdhi pasi nga Komisioni Vlerësues ishte renditur si kandidati me më së shumti pikë të mbledhura dhe i njëjti i ishte rekomanduar KPK-së për votim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj vlerësimit të Panelit Vlerësues, kundërshtime kanë paraqitur kundërkandidatët e Isufajt, prokurorët Naim Abazi dhe Atdhe Dema, por që kundërshtimet e tyre ishin refuzuar nga Komisioni për Rishqyrtim.

Komisioni Vlerësues i themeluar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) me 24 nëntor 2023 ka përfunduar intervistimin e katër kandidatëve për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, përkatësisht kandidatëve Blerim Isufaj, Atdhe Dema, Valdet Gashi dhe Naim Abazi.

Katër kandidatët janë intervistuar nga Komisioni Vlerësues në përbërje të kryesuesit, Jetish Maloku dhe anëtarëve Besim Kelmendi, Arian Gashi, Ardian Hajdaraj dhe Agron Beka, raporton “Betimi për Drejtësi”

Sipas Komisionit Vlerësues, kandidatët ishin vlerësuar, Blerim Isufaj me 94.2 pikë, Naim Abazi me 89.2 pikë, Valdet Gashi me 84.8 pikë dhe prokurori Atdhe Dema me 77 pikë.

Kujtojmë se më 17 nëntor, KPK në mbledhjen e jashtëzakonshme ka konfirmuar këtë listë të kandidatëve që kanë aplikuar për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe të për pozitën e kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Më 13 tetor të këtij viti Këshilli Prokurorial i Kosovës e kishte miratuar hapjen e konkursit për Kryeprokuror të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) dhe për pozitën e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë.

Të ngjashme