Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) me 9 vota për dhe një kundër ka zgjedhur Enis Gashi, Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Gjakovë, raporton Ekonomia Online.
Kundërkandidatët e tij për këtë pozitë ishin prokurorët Dëshirë Jusaj, Ardita Beqiraj-Hyseni, dhe Anton Hasanaj. Ndryshe, konkursi për Kryeprokuror të Prokurorisë Themelore në Gjakovë ishte shpallur fillimisht më 23 maj 2023. Mirëpo, i njëjti ishte shtyrë për t’u rihapur sërish nga 1 gushti 2023.
Deri tek shtyrja kishte ardhur pasi më 1 qershor kur edhe ishte caktuar të hapej konkursi, po në atë datë kishte hyrë në fuqi Ligji i ri për Prokurorin e Shtetit, i cili ka paraparë kritere tjera për përzgjedhjen e Kryeprokurorëve në Prokuroritë Themelore, në krahasim më Ligjin paraprak dhe Rregulloren Nr. 06/2019, për emërimin e Kryeprokurorit të Shtetit dhe kryeprokurorëve të Prokurorive.
Ndryshe, deri tek shpallja e këtij konkursi kishte ardhur pasi ish-kryeprokurori i mëparshëm Ramiz Buzhala ishte degraduar nga KPK-ja dhe i njëjti ishte transferuar si prokuror në Departamentin e Përgjithshëm të Prokurorisë Themelore në Pejë.
Vendimin për shqiptimin e kësaj mase disiplinore e kishte konfirmuar edhe Gjykata Supreme, e cila më 10 shkurt 2023 e kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e ish-kryeprokurorit Buzhala.
Buzhala ishte suspenduar nga puna, një ditë pas raportimit se ai kishte dërguar pyetje të testit një kandidati për bashkëpunëtor profesional.
Që nga suspendimi i ish-kryeprokurorit Buzhala më 14 korrik 2022, pozitën e ushtruesit të detyrës së kryeprokurorit e ka ushtruar, prokurori Enis Gashi.
Gjithashtu KPK me 7 vota për, e ka zgjedhur Zejnullah Gashi për Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Fillimisht KPK e ka votuar Blerim Isufaj me nëntë vota për si Kryeprokuror i Prokurorisë Speciale.
LEXONI EDHE:
