Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti me bashkëpunëtorë sot vizituan Agjencinë e
Statistikave të Kosovës (ASK), ku u prit nga U.d. Avni Kastrati dhe stafi tjetër.
Çështjet kryesore për të cilat u fokusua interesimi i Kryeministrit ishin Regjistrimi i Popullsisë,
Ekonomive Familjare dhe Banesave (REKOS 2024) dhe Digjitalizimi. Andaj, ai fillimisht vizitoi
Qendrën Mbështetëse të Regjistrimit, ku u njoftua nga afër me aktivitetet kryesore, si: puna rreth
instalimit të programit në tabletë, serverët e hartave digjitale, planet për Regjistrim etj. Kryeministri
Kurti shprehu gatishmërinë e tij të plotë se do ta mbështesë ASK-në në realizimin me sukses të
Regjistrimit të Popullsisë, si një nga projektet më kapitale me interes kombëtar.
U.d. Kryeshefi i ASK-së, Avni Kastrati, e njoftoi Kryeministrin për situatën aktuale në ASK,
konkretisht sfidat me mungesën e stafit, kapacitetet profesionale, perspektivat dhe procesin e
digjitalizimit.
Për më tepër, Kryeministri inkurajoi një koordinim sa më të ngushtë ndërmjet Qeverisë dhe ASK-së
për të siguruar statistika të sakta dhe gjithëpërfshirëse, të nevojshme për zhvillimin e politikave dhe
strategjive të Qeverisë, si dhe për të gjithë shfrytëzuesit e tjerë.
Kjo vizitë është hera e parë, që një Kryeministër viziton Agjencinë e Statistikave të Kosovës, e që
është një inkurajim shtesë për aktivitet e ndryshme të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK).