Kryetari i Gjykatës Supreme thotë se brenda sistemit shpesh ka lojë ping-pong se kush duhet të kryejë punët

| 06 Dhj 2024 | 16:10 | Nga

Në mbledhjen e Asamblesë së Kryetarëve të Gjykatave dhe Gjyqtarëve Mbikëqyrës, kryetari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Fejzullah Rexhepi tha se shpeshherë brenda sistemit vërejnë se ka lojë të stilit ping-pong për atë se kush duhet të kryejë punën e caktuar.

“Realisht brenda sistemit shpeshherë ka luajtje ping-pong mes atyre që duhet me kry punën edhe shpesh hasim në gjëra që nuk duhet të diskutohen, po kjo është për shkak të mungesës së llogaridhënës brenda sistemit, qoftë brenda zyrtarëve por edhe te gjyqtarët”, tha kryetari Rexhepi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Deri te kjo erdhi pas zhvillimit të diskutimeve lidhur me kontrollimin e kualitetit të të dhënave dhe barazimin e lëndëve gjyqësore në Sistemin Elektronik për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL) me lëndët fizike në gjykata.

Për çka paraprakisht kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), Albert Zogaj tha se takim i sotëm i Asamblesë është i fundit që diskutohet për këtë temë.

“Në mënyrë të veçantë po flas për administratorët e gjykatave, është koha m’u çu prej gjumit dhe m’u marrë me punët e tyre dhe një prej tyre është thjesht sistemi i menaxhimit të dosjeve sepse edhe tani kur në po komunikojmë kemi informata dhe raporte që edhe në evidencë penale ka shqetësime serioze me futjen e të dhënave, pra thjesht shpresoj se ky diskutim të vlejë për me heq përfundimisht prej agjendës tonë diskutimin: A duhet apo s’duhet me pas kontroll permanent edhe kujdes për cilësinë e të dhënave?”, tha kryesuesi Zogaj.

Për këtë, Asambleja rekomandoi që kualiteti i të dhënave të përfshihet në Planin e Punës të të gjitha gjykatave me qëllim të fuqizimit të kualitetit të të dhënave.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe për “Udhëzuesin i Përgjithshëm për Matjen e Dënimit” i publikuar së fundi nga Gjykata Supreme, ku u diskutua se cilat janë format që ky udhëzues të gjejë zbatim në vendimet gjyqësore të gjykatave.

Për këtë, doli rekomandim që gjatë miratimit të rregullores së KGjK-së lidhur me vlerësimin e performancës të futet edhe zbatimi i Udhëzuesit për Politikën Ndëshkimore.

Tutje, në këtë takim u diskutua edhe zbatimi i dënimeve plotësuese – gjetjet nga Raportit të EULEX-it – 2024, ku si gjetje e tij ka qenë moszbatimi i dispozitave të Kodit të Procedurës Penale lidhur ekzekutimin e vendimeve plotësuese.

“Një prej gjetjeve për mua është shumë serioze është moszbatimi i dispozitave të Kodit, ndryshimeve të Kodit Penal që kanë të bëjnë me dënimet plotësuese, në bazë të raportit është gjet që asnjëra nga ministritë nuk ka marrë asnjë vendim për zbatim nga gjykata, në shumë raste dënimet plotësuese nuk janë aplikuar ex-officio nga gjykata edhe në ato raste kur është dashtë, të paktën këto janë gjetje të raportit”, tha kryetari i Gjykatës Supreme, Fejzullah Rexhepi.

Prandaj, për këtë diskutim doli rekomandim që të shikohet mundësia e trajnimit të stafit që merren me ekzekutimin e sanksioneve penale, të përfshihen të gjitha dënimet plotësuese, të zbatohen dispozitat ligjore sa i përket njoftimit të ministrive me vendimet përkatëse.

Në këtë takim të Asamblesë, u diskutua edhe për monitorimin e zbatimit të strategjive në sistemin gjyqësor, që ka si qëllim të sigurojë që këto strategji të implementohen në përputhje me objektivat e përcaktuara.

Prandaj, Asambleja për këtë doli me rekomandim që komisionet për zbatimin e strategjive të sistemit gjyqësor, sidomos Komisioni që ka të bëjë me monitorimin e Strategjisë për zgjedhjet efikase të lëndëve të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe asaj të Qasjes në Drejtësi, kanë nevojë për mbështetje.

Si pikë e rendit të ditës ishin të gjeturat nga Njësia për Inspektim Gjyqësor gjatë vitit 2024, ku u tha se ka mjaft probleme në praktikë bazuar në të gjeturat e Njësisë së Inspektimit Gjyqësor, prandaj u rekomandua që këto gjetje të bëhen pjesë e planit të punës së Kryetarëve të Gjykatave dhe vetë Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

Po ashtu, në këtë takim u fol për kontrollimin e kualitetit të të dhënave dhe barazimin e lëndëve gjyqësore në Sistemin Elektronik për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL) me lëndët fizike në gjykata, ku me qëllim të arritjes së barazimit të lëndëve dhe ngritjes së kualitetit të të dhënave, janë ndërmarrë disa aktivitete drejtuar gjykatave.

Në fund, u caktuan anëtarët tjerë të Asamblesë nga radhët e gjyqtarëve mbikëqyrës për vitin  2025, si në vijim: Gjykata Themelore në Prishtinë – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Lipjan; Gjykata Themelore në Gjilan – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Kamenicë; Gjykata Themelore në Prizren – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Suharekë; Gjykata Themelore në Mitrovicë – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Vushtrri; Gjykata Themelore në Gjakovë – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Malishevë; Gjykata Themelore në Pejë – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Deçan; Gjykata Themelore në Ferizaj – gjyqtari mbikëqyrës i degës në Kaçanik. 

Të ngjashme