Sot kryeministri dhe qeveria kanë një detyrë më specifike se zakonisht. Dje Albin Kurti ka përsëritur që sipas Bankës Botërore “rritja ekonomike e Kosovës ka qenë mesatarisht më e larta në rajon” gjatë mandatit të tij. Këtë e ka thënë edhe disa herë më parë dhe e kemi diskutuar publikisht. Kjo deklaratë del se nuk është e vërtetë, sipas fakteve dhe shifrave të Bankës Botërore që i referohet kryeministri.
Kosova ka pasur mesatarisht 6.1% rritje ekonomike tri vitet e fundit, ndërsa Mali i Zi 8.6%. Matematika më bazike tregon që kjo deklaratë publike e përsëritur disa herë kërkon një vëmendje më të thellë të publikut. Kjo për shkak se tash ka dyshime që nuk është një gabim nga mungesa e informimit të duhur, por kjo po përdoret në një narrativë ku po tentohet të thuhet që qytetarët dhe bizneset e Kosovës gjatë periudhës së fundit kanë ‘lulëzuar’ nga të mirat.
Kjo narrativë po përdoret e keqpërdoret në një situatë kur qytetarët e Kosovës kanë të hyrat më të ulëta në rajon, GDP e Kosovës është më e vogla në rajon, si dhe ekonomia për kokë banori apo për qytetarin kosovar është jo vetëm më e ulëta, por gjithashtu dy herë më e ulët sesa më e larta e rajonit. Fuqia blerëse e kosovarit është vetëm rreth 70% e mesatares së qytetarit të rajonit. Pra, kjo deklaratë e “rritjes më të madhe në rajon” është problematike, por mund të jetë edhe ofenduese.
Kryeministri dhe varësit e tij që e kanë ‘nxjerrë’ këtë përfundim e kanë për detyrë të na tregojnë me numra dhe me matematikë si është e vërtetë kjo. Kjo për shkak se kur ne po i lexojmë të dhënat nga Banka Botërore, po del që Kosova nuk e ka pasur rritjen më të lartë. E ka pasur Mali i Zi me 8.6%, mesatarja nga viti 2021 deri 2023.
Kjo deklaratë nuk është një lapsus i rastit, pasi po përsëritet disa herë, përkundër faktit që e kemi diskutuar publikisht dhe i kemi paraqitur faktet e forta që e demantojnë këtë. Ne po detyrohemi të kërkojmë llogari publike nga fjala e njeriut më të rëndësishëm të qeverisë që gjithashtu synon të bëhet kryeministër përsëri.
Tash, ose ne e kemi gabim – që nuk duhet përjashtuar – ose kryeministri dhe qeveria me qëllim po e shtrembërojnë realitetin për të bërë propagandë ekonomike me shoqërinë dhe qytetarët më të varfër në rajon dhe Europë.
Në parim, ne duhet të jemi mendjehapur, duhet të kërkojmë fakte, për shkak se ndoshta ai dhe qeveria i kanë faktet dhe bazohen në diçka që ne nuk jemi të informuar si publik i gjerë. Por ato duhet të publikohen dhe të na tregojnë edhe neve të tjerëve që të bindemi. Ne nuk mund të vazhdojmë me tema të tjera të rëndësishme derisa kjo nuk vërtetohet mirë. Kjo nuk është një deklaratë e parëndësishme, por fjala është për një titull të librit, një deklaratë e rëndësisë shumë të lartë e përsëritur disa herë.
Ndoshta edhe vetë njerëzit e LVV-së duhet të kontribuojnë në këtë temë dhe të bindin publikun për atë që deklarojnë me kaq kokëfortësi. Kjo gjithsesi është edhe interes i tyre – të largojnë dyshimet dhe të vërtetojnë faktet e tyre që po i përmendin pandërprerë. Përndryshe, nëse kjo nuk qartësohet, do të jetë vështirë të mirëmbahet ndonjë besim eventual për premtimet që do të pasojnë gjatë fushatës së zgjedhjeve të ardhshme. Prandaj, është në interes, jo vetëm të publikut, por edhe vetë partisë, të qartësojë këtë pohim sa më parë.