Kandidati për deputet nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Besim Mulaj, ka theksuar rëndësinë e zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke ftuar qytetarët të bëhen pjesë e ndryshimit që e duan për vendin. Mulaj u shpreh se kjo është një mundësi historike për të votuar dhe për të vendosur për të ardhmen e Kosovës, duke nënvizuar se të rinjtë e sotëm janë të tashmja dhe jo vetëm e ardhmja.
Ai shtoi se qytetarët e Kosovës meritojnë një të ardhme ku të rinjtë nuk largohen nga vendi, por qëndrojnë dhe ndërtojnë të ardhmen këtu. Mulaj theksoi nevojën për një sistem arsimor cilësor, ku diploma të ketë vlerë dhe të ofrojë mundësi për zhvillim.
Një tjetër pikë e rëndësishme që ai theksoi ishte krijimi i mundësive të punës, përmes një ekonomie që ofron vende pune të dinjitetshme. “Një Kosovë me vende të mira pune, ku mund të ndërtoni jetën me dinjitet,” tha ai.
Mulaj gjithashtu theksoi rëndësinë e një qeverie të suksesshme që do të bëjë Kosovën krenare, duke iu referuar jo vetëm emrave të njohur ndërkombëtarisht si Dua Lipa dhe Rita Ora, por edhe qeverisë dhe deputetëve që do të udhëhoqen nga LDK.
E ardhmja, sipas tij, është ajo që ndërtohet me vendime të zgjuara. “Më 9 shkurt, është momenti për të zgjedhur rrugën e suksesit, rrugën që e çon Kosovën drejt Evropës, drejt zhvillimit, drejt një të ardhmeje të sigurt për të gjithë!” – tha Mulaj, duke ftuar qytetarët të bëjnë zgjedhjen e duhur dhe të mbështesin LDK-në dhe kandidatin për kryeministër, Lumir Abdixhikun.