”Tayna me tatim ndaj shtetit qëndron 00”, menaxhmenti i reagon për ”shpifje” shoqes Edonë, pritet padi

Prishtinë | 24 Shk 2025 | 11:04 | Nga Ekonomia Online

Menaxhmenti i repartistes së njohur Tayna, kanë bërë reagim ndaj disa deklaratave të gazetares Edona Gashi, të dhëna në njërin prej emisioneve të Klan Kosovës.

Kontabilistja e biznesit të repartistes, Burbuqe Bytyqi, ka dërguar në klankosova.tv edhe disa dëshmi, me të cilat mohon pretendimet e gazetares e cila njihet si Shoqja Edonë, ku në Weekend të Klan Kosovës tha se repartistja i ka borxhe Administratës Tatimore të Kosovës.

”E pamë një intervistë ku shfaqet përplot shpifje për këngëtaren. Këngëtarja me tatim ndaj shtetit qëndron 00. Të bashkangjitura gjeni vërtetimin nga Administrata Tatimore e Kosovës që biznesi nuk ka as një borxh ndaj ATK-së”, thuhet në reagim.

Siç dhe figuron në vërtetimin e arritur në redaksi, Tayna rezulton se nuk ka asnjë borxh ndaj ATK-së.

Kujtojmë që gazetarja shoqja Edonë, në debatin televiziv në Weekend, ndërsa komentohej donacioni prej 25 mijë eurosh i repartistes Tayna dhuruar Universitetit të Prishtinës, deklaroi se ajo këtë gjest e bëri si shkak i borxheve që ajo ka ndaj ATK-së.

”Në vend që me ia jep shtetit qata [borxhin] shkon i jep donacion”.

Ajo u shpreh madje se Taynan mund ta shohin fansat e saj madje edhe në gara zgjedhore.

Tutje nga menaxhmenti i repartistes, specifikisht, në reagimin e kontabilistes Bytyqi, theksohet gjithashtu se, për shkak të dëmtimit të imazhit të këngëtares dhe kompanisë, do të ndërmarrin hapa ligjor ndaj gazetares Edona Gashi.

”Për shkak të dëmtimit të imazhit, unë besoj se do të ndiqet ligjërisht personi në fjalë”, thuhet ndër tjera në reagimin e kontabilistes së biznesit që drejtohet nga Tayna.

Të ngjashme