Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka apeluar te Prokuroria e Shtetit që të nisin hetime për kontratën kolektive, të cilat sipas tij, i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë 100 milionë euro.
Sipas Muratit, shuma e kërkuar për përmbarim ka arritur në 35.8 milionë euro deri në fund të muajit shkurt.
“Asociacioni i Komunave ka bërë të ditur se dëmi buxhetor tashmë ka tejkaluar shumën prej 100 milionë eurosh. Megjithatë, deri tani nuk kemi dëgjuar për ndonjë rast të hapur nga prokuroria ndaj atyre që kanë nënshkruar paligjshëm dhe kanë shkaktuar këtë dëm”, ka deklaruar Murati.
Ai ka denoncuar edhe abuzimet e dyshuara nga përmbaruesit.
“Çështja tjetër shqetësuese e që duhet të merren organet e rendit, është edhe abuzimi i përmbaruesve me tarifat. Nuk janë të rralla rastet kur tarifa e përmbaruesit tejkalon edhe vlerën e borxhit që përmbarohet”, ka thënë ai.