Epopeja e UÇK-së dhe Mësimet e Historisë

Prishtinë | 06 Mar 2025 | 11:20 | Nga Shenoll Muharremi

A jemi të gatshëm për të nesërmen?

Këto ditë, derisa po ndodhin ndryshime të mëdha në arkitekturën globale të sigurisë dhe diplomacisë, nuk ka si mos me të shku mendja se si do të sillemi dhe çka mund të ndodhë me ne në rast të ndonjë drame të thellë që prodhon ky sistem i panjohur në të cilin po futemi.

Ne i përfunduam zgjedhjet, por nuk po na ngutet shumë. Nuk po dëshirojnë me bashkëpunu partitë e mëdha shqiptare mes vete. “Shkojna në zgjedhje tjera.” “Vetëm na vet e bëjmë qeverinë.” Kësi lloj qëndrimesh po dëgjojmë. Krejtësisht të pamatura, të papjekura dhe joserioze për kohën në të cilën po kalojmë, sidomos për çka po ndodh jashtë.

Kjo të kujton sesi në momentet kryesore dhe përcaktuese të historisë nga mos përgatitja dhe qëndrime si këto, kemi bërë në shumicën e rasteve zgjedhje të gabuara dhe kemi humbur dramatikisht në histori.

Të kujtohet në LDB kur anglezët erdhën me na ndihmu shqiptarët… i gjetën, në vend të koncentrimit dhe fokusit, 3-4 grupe të ndryshme që luftonin pa një qëllim dhe mes vete gjithashtu. Të kujtohet edhe Bismarck kur kishte thënë “nuk ka komb shqiptar,” se ne ishim hutuar, në vend të interesit publik dhe kombëtar, luftonim për Sulltanin.

Të kujtohet gjithashtu edhe shumë më larg, para dhe pas kohës së Skënderbeut, kur principatat dhe fiset e ndryshme luftonin njëra me tjetrën… e në raste i thirrnin ‘armiqtë’ nga jashtë me ju ndihmu. E gjithashtu edhe në historinë e afërt, kur edhe UÇK dhe Rugova kishin mospajtime serioze në momente thelbësore!

Të kujtohet se si, nga kjo huti dhe mospërgatitje, mbanim edhe anët e gabuara… sikur që ishte rasti gjatë LDB, kur edhe me Hitlerin bashkëpunuan grupe nga Kosova. E gjithashtu edhe si gjatë luftërave të Ballkanit, ne as që po luftonim për lirinë dhe pavarësinë tonë! E pastaj na copëtuan territoret.

Të kujton gjithashtu se si, jo vetëm që pranuam ‘të fortit’ që erdhën e na pushtuan gjatë historisë, por kemi edhe raste kur masivisht u tjetërsuam, ndërruam besimet dhe identitetin tonë për pak komfort.

E gjithashtu, kur kishim turbullenca të thella në rajon dhe beteja të ndryshme… kishim grupe-grupe që rezistonin, por jo edhe një rezistencë shoqërore të fortë. Kur bullgarët rezistuan pushtuesin osman, rreth 20% e popullsisë burra dolën të mbrojnë vatanin. E ne dolëm në maksimum 15,000 persona në momentin më kritik, që ishte rreth më pak se 1% e popullsisë.

Kemi shumë për të mësuar që të vendosim më mirë sot-tani dhe të bëjmë gjënë e duhur e që është ndryshe nga kjo që po shofim.

Këto nuk janë aspak eksperienca dhe referenca të mira e pozitive nga e kaluara. Sugjerojnë që sot gjithashtu ne mund të japim një rezultat jo aq të mirë në rast se ndodh diçka me botën, rajonin apo kontinentin. Janë mësime të mira e të jashtëzakonshme për të ndryshuar, por me eksperienca kryesisht të këqija.

Ushtria jonë sot radhitet e 141-ta në botë nga 145 vende gjithsej (military ranking 2025). Për 25 vite në liri nuk arritëm që të bëjmë atë që duhet për të qenë të sigurtë në rastë të një ndryshimi që mund të vie në arkitekturën kontinentale dhe globale të sigurisë.

Ne ende nuk kemi asnjë avion luftarak e asnjë helikopter. Nuk kemi asnjë sistem mbrojtës ajrore që nënkupton që me një avion infrastruktura jonë e mbrojtjes mund të kolapsoj (pa NATO-në). Nevojiten, me siguri, rreth 3 miliardë euro investime që të jemi në gjendje me fjetë natën të qetë në rast se NATO nuk është më.

Jemi larg! Por nuk na bëhet shumë vonë. Ne shohim interesin personal, të partisë. Nuk bashkëpunojmë, preferojmë të ‘luftojmë e asgjësojmë’ kundërshtarët politikë, thua se ata ishin armiq e jo diçka që na bën më të mirë (konkurrentë).

…..

Vendimet që do të merren ditët dhe javët e ardhshme mund të kenë pasoja të thella afatgjata. Ne po jetojmë në një periudhë që duket se aleancat historike, mbi të cilat u çlirua dhe u pavarësua Kosova, nuk ekzistojnë më. Në një periudhë kur NATO, por edhe BE, mund të mos jenë më pas disa vitesh këto që ishin për gati një shekull. Një botë në lëvizje dhe tranzicion, me një rezultat të panjohur dhe me shumë pasiguri.

Gjëja më e vogël që klasa politike në Kosovë duhet të bëjë në momente si kjo është të ulet bashkë dhe të bashkëpunojë mes vete. Të formojnë sa më parë institucionet dhe qeverinë, si dhe të investojnë në mbrojtje dhe ekonomi. Të shohin si mund të përgatitemi për të ardhmen që po na pret, me shumë të panjohura. Sidomos të mësojnë nga eksperiencat historike dhe të sigurohen që ato nuk përsëriten.

Duhet të sigurohemi që gjenerata politike kosovare e shekullit XXI është maturuar dhe se ajo që u ndërtua një herë në histori është e vetëqëndrueshme. Ky është testi i vërtetë për klasën aktuale politike, e jo inatet e tyre të ngushta që nuk sjellin asnjë të mirë publike.

Të ngjashme