Orban u largua, problemet mbeten

Prishtinë | 17 Pri 2026 | 11:02 | Nga Blerim Shala

Për Karl Popperin, filozofin dhe mendimtarin e madh të shekullit të kaluar, autorit të konceptit të ‘Shoqërisë së hapur’, kriteri vendimtar për karakterin e një qeverie është mënyra se si ajo sillet kur duhet ta dorëzojë pushtetin te një qeveri e re, pas humbjes në zgjedhje.

Nëse pra kjo qeveri që pëson disfatë në votime, ia lëshon vendin qeverisë së re pa bërë probleme, duke njohur rezultatin e zgjedhjeve, atëherë sipas Popperit, mund të konstatohet për një vazhdimësi demokratike në atë shtet.

Popper është i sigurt që liderët njëmend autokratik, nuk largohen prej pushtetit pa dhunë dhe me vullnet.

Diçka e tillë është e pamundur, pohon Popper.

Bota ka ndryshuar shumë prej kohës kur ky filozof dhe mendimtar i ka artikuluar mirë këto venerime të tij për natyrën e një qeverie dhe të një pushteti.

Atëherë nuk ka pasur manipulime masive me vota, nuk ka pasur media aq të fuqishme, nuk ka pasur Internet dhe Rrjete shoqërore, nuk ka pasur Popullizëm të këtij lloji, nuk ka pasur një shoqëri që ndërtohet në post-të-vërtetën.

Për këtë shkak, ky kriteri suprem i Popperit ka qenë i qëndrueshëm. Nëse pra e dorëzon pushtetin me rregull dhe pa tronditje, ti si lider i shmangesh ’aktakuzës’ që ke qenë autokrat.

Megjithatë, rrethanat siç u tha tashmë, janë shumë më të ndryshme nga ato para më shumë se gjysmë shekulli, kur Popper ka folur dhe ka shkruar.

Për këtë shkak, vështirë është që gjesti final i Kryeministrit të deritashëm të Hungarisë, Viktor Orban, kur pranoi të dielën e shkuar humbjen zgjedhore nga Peter Magyar, të vlerësohet, në këtë kontekstin e shpjegimeve të përmendura të Karl Popperit, si një dëshmi që Orban ka qenë një demokrat e jo një autoritar.

Kryeministri i Hungarisë realisht ka qenë personifikim më i mirë i mundshëm i përfaqësimit të një pushteti të cilin Timothy Garton Ash, një autor i shkëlqyeshëm bashkëkohor anglez, e ka quajtur si Demokraturë.

Mjeshtër i gjetjeve të këtilla terminologjike, Ash ka bashkuar pra në një koncept diktaturën dhe demokracinë. Orban dhe të ngjashmit pra, kanë ardhë në pushtet në mënyrë demokratike, por pastaj kanë qeverisur në mënyrën që nuk ka të bëjë gjë me demokracinë dhe liberalizmin.

Zaten, vet Kryeministri i deritashëm i Hungarisë është krenuar kudo, edhe në Bruksel madje, në selinë e Bashkimit Evropian, që pushteti i tij definohet si Demokraci Joliberale.

Para Hungarisë, sipas Fareed Zakarias, cilësim të tillë ka merituar vetëm Irani.

Orban në të vërtetë, ka paraqitur (së paku deri tash), sprovën më të madhe për funksionimin e Bashkimit Evropian, dhe për respektimin e vlerave politike, ekonomike dhe qytetëruese të Evropës.

Ai ishte në konfrontim të vazhdueshëm me politikat e Brukselit, të gjitha llojeve, përfshirë edhe ato të karakterit strategjik, apo ai sillej në atë mënyrë që një shtet kandidat për të hyrë në BE do ta diskualifikonte për një kohë të gjatë për t’iu afruar fare anëtarësimit në BE.

Tek e fundit, harmonizimi i politikës së jashtme të këtij shteti aspirant për tu bërë anëtar i BE-së, me atë të Bashkimit Evropian, është njëri prej kushteve kyç për të hyrë në BE.

Teksa në rastin e Hungarisë së Viktor Orbanit, diçka e tillë ka qenë shumë larg politikës së përbashkët të jashtme të BE-së.

Për më shumë, dihet që Orban ka qenë aktivisht i përfshirë në kundërshtimin e politikës evropiane për të ndihmuar Ukrainës në luftën e saj mbrojtëse kundër agresionit të Rusisë.

Në përgjithësi, politika e ish-Kryeministrit të Hungarisë, që është shfaqur edhe në mbrojtjen me çdo kusht të pozicionit të Serbisë së Presidentit Alleksandar Vuçiq në relacionin me BE-në dhe në dialogun me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve, ka pasur pasoja edhe në trajtë të shtimit të dyshimeve të shteteve kryesore të BE-së rreth politikës së zgjerimit të BE-së me shtetet tjera, përfshirë këtu edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Askush në BE nuk ishte i interesuar që në Bruksel të ngritet flamuri i një shteti të ri anëtar, i cili do t’i nxirrte telashe të ngjashme Bashkimit Evropian si Hungaria e Viktor Orbanit.

Orban është larguar. Por në rrethanat e reja politike dhe mediatike në Evropë, ai edhe mund të kthehet.

Teksa telashet që ai dhe të ngjashmit i kanë krijuar BE-së dhe Evropës, nuk janë larguar aspak. Kjo dihet.

Të ngjashme