Krimet e forcave serbe dhe rezistenca e UÇK-së, Idrizi: Liria që e gëzojmë sot nuk është e rastësishme

Prishtinë | 16 Qer 2026 | 12:20 | Nga Ekonomia Online

Komuna e Vushtrrisë ka organizuar konferencën shkencore “Krimet e forcave serbe në Komunën e Vushtrrisë dhe rezistenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës 1998-1999”, raporton Ekonomia Online.

Në këtë konferencë e cila u organizuar me rastin e Ditës së Çlirimit të Vushtrrisë, u paraqit sakrifica e dëshmorëve të UÇK-së.

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi deklaroi se kjo konferencë do t’u shërbejë të rinjve që të kuptojnë sakrificën e popullit për liri.

“Kemi dashur që pikërisht sot të organizojmë këtë konferencë shkencore e titulluar ‘Krimet e forcave serbe në komunën e Vushtrrisë dhe rezistenca e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’, një ditë para ditës së çlirimit, që është nesër më 17 qershor. Kemi dashur ta bëjmë këtë për të kthyer në kujtesë për të kthyer në kujtesë dhe që t’ju tregojmë gjeneratave, sidomos gjeneratave të reja, të cilat nuk e kanë përjetuar periudhën e luftës, se liria që e gëzojmë sot nuk ishte e rastësishme. Nuk ka ardhur vetvetiu, nuk ka pikur nga qielli, por është një rrugëtim i gjatë, shekullor, që është bërë shumë mund, punë, sakrificë, u derdh gjak”, tha Idrizi.

“Dhe ne që jemi këtu, jemi me fat që në jetën tonë është kurorëzuar me këtë liri që e gëzojmë sot falë gjakut të shumë bijve dhe bijave, falë gjakut të dëshmorëve, falë luftës heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.Pra, të sjellim në kujtesë se edhe komuna e Vushtrrisë e ka paguar shumë shtrenjtë këtë liri, me shumë masakra: me masakrën e Studimes, me masakrën e 2 Majit, me masakrën e familjes së Selatin Gërxhaliut, me masakrën e Reznikut, të familjes Ujkani, me masakrën e Beçiqit, me masakrën e Dubocit, me masakrën e Galicës, edhe shumë e shumë të vrarë, të masakruar e të persekutuar”, ka thënë ndër të tjera Idrizi.

Ndërsa, Mentor Hasani, shef i Departamentit të Historisë në Universitetin e Prishtinës, përmendi heronjtë kombëtar që janë nga komuna e Vushtrrisë duke thënë se ata kanë shërbyer si udhërrëfyes për breza të tërë.

“Ne në histori gjurmët e këtij qyteti i gjejmë qysh në antikitet, pastaj edhe gjatë mesjetës, pra mesjetës romake, bizantine, gjejmë rezistencë, të Vushtrrisë, gjatë periudhës osmane. Vijmë në periudhën pas krijimit të shtetit shqiptar, në vitet ’20. Vushtrria e karakterizon gjithë hapësirën shqiptare me tri personalitete të shquara: Hasan Prishtina, Azem Bej Galica, Mehmet Konjuhi, disa patriotë të cilët janë edhe të Vushtrrisë e të Drenicës, po i kemi bashkë, të Kosovës, të Shqipërisë.Edhe në këtë drejtim, këta, këto personalitete, këto tri personalitete, veçanërisht Hasan Prishtina, Azem Bej Galica, kanë shërbyer si udhërrëfyes për brezat e tërë, kanë shërbyer si udhërrëfyes edhe për ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe nga diskutimet paraprake, nga tematikat që i kanë trajtuar kolegët, kjo është vetëm një pjesë e vogël që ofron një perspektivë, për arsye se ka shumë ngjarje, ka shumë personalitete, ka shumë masakre që do të duhej të ishin të përfshira, po meqë thirrja ka qenë e hapur dhe këto kanë qenë, kanë qenë mundësitë e kësaj radhe, unë po besoj shumë do të shërbejë ky takim i joni sot edhe si një nxitje që ne edhe shumë shpejt të organizojmë diçka më të madhe dhe me bërë edhe një botim, pse jo, mbi këtë kontribut në qytetin tonë dhe gjithsesi me parë pastaj cila është mundësia ose qasja shkencore’, ka deklaruar Hasani.

“Ajo çka i mungon secilit qytet, që i mungon vendit tonë, që i mungon universitetit, instituteve dhe gjithë hapësirës akademike, shkencore, por edhe politike, është qasja kritike e biografisë. Që ne të studiojmë në mënyrë të thelluar, në mënyrë profesionale, nga shumë perspektiva, nga shumë burime, gjithë këto ngjarje e këto tematika.

Ne, vendbanimi i cili i ka, i kishte rreth 100 mijë banorë, i dha Kosovës mbi 500, mbi 500 viktima, dëshmorë, të zhdukur. 67 dëshmorë janë në mesin e 1150 dëshmorëve në total nga qyteti ynë. Pa kontributin e të cilëve, vështirë se ky qytet do të kishte ditë si lirinë”, tha Hasani.

Të ngjashme