Mirë që çmimet e naftës pësuan rënie të theksuar pas arritjes së marrëveshjes SHBA-Iran. Aktualisht janë nën 80 USD për fuçi, afërsisht në nivelin e janarit 2025. Në janar 2026, niveli ka qenë rreth 50-60 USD për fuçi, kështu që ka ende hapësirë për korrigjim në rënie.
Kjo gjithsesi do ta ndihmojë edhe situatën në Kosovë, për shkak se çmimet më të ulëta të derivateve nënkuptojnë kosto më të ulëta të operimit dhe prodhimit. Rrjedhimisht, kur kësaj situate i shtojmë gjithashtu faktin që tani jemi në sezonin e verës, ku ka më shumë produkte vendore në treg, kjo nënkupton se gjatë tremujorit të ardhshëm mund të kemi ulje të shkallës së inflacionit.
Si rezultat i rënies së çmimit të naftës dhe rritjes së volumit të produkteve vendore gjatë sezonit, niveli i inflacionit gjatë TM3 mund të bjerë në rajonin 4%-5%. Ky është përparim i mirë, por megjithatë është dyfish më i lartë sesa niveli i synuar, që është rreth 2%.
Gjithashtu, me rritjen e konsumit të energjisë në vjeshtë dhe dimër, rënia e inflacionit drejt nivelit 2% mund të pengohet nga importi dhe konsumi i lartë i energjisë gjatë muajve të ftohtë. Pra, sa më shumë afrohemi tek fundviti, inflacioni mund të rritet përsëri për shkak të pagesave të larta të faturave.
Mos të harrojmë që edhe ZRRE mund të befasoj me rritje të çmimit të energjisë periudhën e ardhshme se duke që ajo politiliksht hezitoj të rris çmimin e rrymës edhe pse importet e enegjisë me çmim mesatarisht 5x sa kosto e gjenerimit vendor ishin më të larta se kurrë.
Rrjedhimisht, e vetmja mënyrë e qëndrueshme që Kosova ta adresojë dhe ta zgjidhë problemin e inflacionit dhe të rritjes së çmimeve është duke investuar në energji. Jo me projekte prej 70 MW apo 100 MW, por me projekte prej 500 MW e 1000 MW, në mënyrë që jo vetëm të mbulohet kërkesa në kulm (rreth 1,500 MWh), por gjithashtu të sigurohet energji për ekonominë e saj, e cila ende ka potencial të madh për t’u rritur.