Ekonomia duhet të na bashkojë atje ku politika na ndan

Prishtinë | 14 Qer 2026 | 09:42 | Nga Safet Gërxhaliu

Republika e Kosovës duhet të largohet nga politika e ditës te ekonomia dhe zhvillimi.

Në fund, krejt pyetja nuk është vetëm kush ka të drejtë në politikë, kush e fiton debatin apo kush e thotë fjalën më të fortë. Pyetja më e madhe është se çfarë vendi po duam të ndërtojmë dhe çfarë të ardhme po duam t’ua lëmë fëmijëve tanë.

Kosova nuk vuan për mungesë potenciali. Kemi diasporën, kemi rini, kemi njerëz punëtorë, kemi lidhje me Evropën, kemi energji dhe dëshirë me ecë përpara. Por potenciali nuk mjafton nëse nuk kthehet në organizim, në ekonomi, në punë, në investime dhe në institucione që funksionojnë. Një vend mund të ketë shumë mundësi, por nëse energjia e tij harxhohet çdo ditë në përplasje politike, ato mundësi mbesin vetëm fjalë.

Për këtë arsye, ndoshta është koha që secili ta kuptojë rolin e vet me më shumë pjekuri.

Diaspora jonë nuk duhet të shihet vetëm si burim i remitencave. Ajo është kapital, dije, përvojë, kulturë pune dhe lidhje e drejtpërdrejtë me tregjet ku Kosova ende nuk ka arritur të hyjë fuqishëm. Por diaspora nuk duhet të mbetet vetëm në rolin e ndihmësit emocional apo financiar. Ajo ka të drejtë edhe të fitojë në Kosovë, sepse Kosova është vendi i tyre. Fitimi i diasporës në Kosovë nuk duhet parë si diçka negative, nëse ai fitim krijon vlerë: vende pune, teknologji, standarde më të larta, produkte më të mira dhe lidhje me ekonominë globale.

Prandaj, roli i diasporës duhet të ngrihet mbi politikën ditore. Emigrantët që kanë parë se si funksionon një shtet i organizuar, një administratë efikase, një treg konkurrues dhe një ekonomi e disiplinuar, duhet të sjellin në Kosovë jo vetëm para, por edhe standard. Ata duhet të kërkojnë nga qeveria dhe opozita kushte për ekonomi, siguri juridike, stabilitet institucional, ambient për investime dhe hapësirë për transfer të dijes. Më pak përfshirje në përplasjet e përditshme politike dhe më shumë presion për zhvillim ekonomik.

Politika ditore duhet t’u lihet më shumë atyre që jetojnë çdo ditë me pasojat e saj. Ata që jetojnë në Kosovë e dinë më së miri se si ndikojnë çmimet, pagat, kreditë, papunësia, arsimi, shëndetësia, energjia dhe shërbimet publike. Diaspora duhet të ndihmojë, të investojë, të kërkojë llogari dhe të sjellë dije, por jo domosdoshmërisht të bëhet pjesë e secilës përplasje ditore politike.

Edhe biznesi duhet të dalë nga hija e politikës. Bizneset nuk duhet të jenë afër politikës për favore, por afër institucioneve për rregulla të drejta. Një ekonomi nuk zhvillohet nëse biznesi e sheh politikën si rrugë për përfitim, e jo tregun si vend për garë. Biznesi duhet ta lërë anash politikën partiake dhe të kërkojë politika të mira ekonomike: politikë fiskale të qëndrueshme, tatime të drejta, procedura më të lehta, qasje në financim, mbështetje për eksport, digjitalizim dhe luftim të informalitetit.

Këtu fillon edhe përgjegjësia e qeverisë. Qeveria nuk duhet ta zëvendësojë tregun, por duhet ta bëjë tregun më të drejtë, më të hapur dhe më funksional. Detyra e saj është me kriju kushte ku biznesi nuk frikësohet me investu, ku investitori nuk humb kohë në pasiguri, ku rregullat janë të qarta dhe ku puna shpërblehet. Pa këtë ambient nuk ka prodhim serioz, nuk ka eksport të qëndrueshëm dhe nuk ka vende pune me vlerë më të lartë.

Investimet e huaja direkte janë pjesë thelbësore e kësaj rruge. Për një ekonomi si Kosova, me deficit tregtar dhe varësi të madhe nga importi, FDI nuk është luks, por nevojë. Ato sjellin kapital, teknologji, kulturë menaxhimi dhe qasje në tregje të jashtme. Nëse duam me dalë nga ekonomia e konsumit dhe me hy në ekonomi të krijimit, duhet me kriju kushte që kapitali vendor dhe i huaj të ndihen të sigurt.

Por edhe opozita ka rol të madh. Opozita duhet ta kontrollojë qeverinë, sepse kjo është detyrë demokratike. Por ajo nuk duhet ta shndërrojë çdo temë në betejë për bllokim. Për ekonominë, investimet, energjinë, arsimin, eksportin dhe integrimin evropian duhet të ketë më shumë pjekuri dhe më shumë konsensus. Jo çdo projekt duhet të prishet vetëm pse e ka nisur dikush tjetër. Shteti nuk është pronë e një partie. Shteti është përgjegjësi e përbashkët.

Edhe qytetarët duhet të kthehen pak te vetja: te puna, familja, edukimi, profesioni dhe përgjegjësia personale. Nuk mund të jetohet gjithë kohën vetëm me debat politik. Njeriu ka nevojë për paqe, stabilitet, perspektivë, pagë më të mirë, shkollë më të mirë për fëmijët, shëndetësi më dinjitoze dhe shtet që nuk e lodh qytetarin me burokraci dhe pasiguri.

Idealisht, kështu do të fillonte zgjidhja: diaspora të sjellë kapital, dije dhe lidhje ndërkombëtare, por edhe të fitojë duke zhvilluar vendin e vet; biznesi të kërkojë rregulla të drejta dhe jo favore politike; qeveria të krijojë ambient për investime dhe zhvillim; opozita të kontrollojë, por edhe të ofrojë alternativa; qytetarët të fokusohen në punë, familje, edukim dhe mirëqenie; ndërsa institucionet të maten me rezultate, jo me deklarata.

Në fund, ekonomia nuk është vetëm numër. Nuk është vetëm rritje, deficit, buxhet apo investime. Pas secilit numër është një familje, një i ri që vendos a me ndejt apo me ik, një biznes që vendos a me investu apo me u ndal, një punëtor që kërkon dinjitet, një emigrant që pyet a ia vlen me kthy kapitalin dhe dijen në vendin e vet.

Kjo është arsyeja pse zhvillimi ekonomik është edhe çështje morale. Sepse tregon sa seriozisht e marrim jetën e qytetarit dhe të ardhmen e vendit. Na duhet pjekuri me e kthy potencialin në projekt kombëtar. Na duhet me vendos ekonominë mbi zhurmën, punën mbi propagandën, institucionin mbi individin dhe të ardhmen mbi momentin.

Nëse arrijmë këtë, atëherë politika nuk do të jetë vetëm burim lodhjeje dhe ndarjeje. Do të bëhet mjet për ndërtim. Dhe atëherë qytetari nuk do ta shohë vendin vetëm si vend prej ku largohet, por si vend ku ka arsye me punu, me investu, me rritë familjen dhe me ndërtu jetën me dinjitet.

Të ngjashme