Filarmonia e Vjenës do të luajë “Danubin Blu” të Johann Straussit në kryeqytetin austriak më 31 maj, me koncertin që do të transmetohet edhe në hapësirën ndëryjore përmes sondës “Voyager 1”.
“Antena ‘Deep Space’ e Agjencisë Evropiane të Hapësirës (ESA) në Spanjë do të dërgojë melodinë e famshme në hapësirë”, tha sot Norbert Kettner, kreu i Turizmit në Vjenë.
Orkestra do të interpretojë veprën në Muzeun e Artit të Aplikuar (MAK) të qytetit.
Kur u lëshua në vitin 1977, sonda “Voyager 1” mbarti me vete një koleksion prej 27 regjistrimesh muzikore nga kompozitorë si Bach, Beethoven dhe Mozart, por jo valsin e Straussit. Megjithatë, kjo melodi është bërë e lidhur ngushtë me hapësirën, veçanërisht pas përdorimit të saj në filmin fantastiko-shkencor të Stanley Kubrick, 2001: Një Odise Hapësinore.
Sonda përmban një disk të veshur me ar, i cili përfshin fotografi dhe informacione rreth Tokës, si dhe regjistrime të ndryshme – një mesazh për çdo qytetërim të mundshëm alien që mund ta gjejë atë në të ardhmen.
Ky transmetim është pjesë e një fushate të Turizmit të Vjenës për të shënuar 200-vjetorin e lindjes së Straussit këtë vit. Përveç kësaj, ESA feston 50-vjetorin e themelimit të saj më 31 maj.
Aktualisht, “Voyager 1” dhe “Voyager 2” ndodhen rreth 25 miliardë kilometra larg Tokës, përtej sistemit tonë diellor. Sinjalit të dërguar nga Toka do t’i duhen rreth 23 orë për të arritur te sonda.
“Nëse ky sinjal mund të kapet nga dikush tjetër varet nga aftësitë teknike të çdo qytetërimi që e merr atë,” thanë organizatorët.