Netët arabe!

Prishtinë | 22 Mar 2025 | 17:00 | Nga Ekonomia Online

1. Vuajtja dhe vetmia kanë filluar ta bëjnë Hashim Thaçin poetik.

Vetmia sikur po e shpërlan nga kokëfortësia.

…Se si e shpreh dashurinë e tij familjare, pa inat mashkullor, dhe ajo pamja dramatike, kur ky i vetëm shkon i fundit tek varri i babës, është dramatike, si këngët e Nick Cave.

– Poezisë i shkonin për shtat edhe pantallonat e tij të kaltër që padashur kombinoheshin me veturën e kaltër të policisë evropiane.

– Por, poetikën e tij e shoh unë, se B.Pacolli sheh krenari.

E krenaria nuk është virtyt.

Veç shqiptarët s’e dinë se krenaria është ves, është mendjemadhësi.

– Përkundrazi, të ndjehesh krenar kur je në gjendje të keqe, nuk është as normale.

– Pacolli foli në emër të babait të Thaçit, dhe tha se ai ka vdekur krenar.

– Se çfarë ndjen njeriu kur vdes, gjithçka besoj, veç krenari jo, se është ndjenjë luksoze krenaria, ndjenjë e tepërt.

2. Më duket se jam duke ecur midis ‘Klasës së vdekur’, kur lexoj H.Matoshin që e qan Hashim Thaçin që nuk ia ka parë babait të tij ‘nurin e vdekjes’!

– Ku mund të ketë vdekja bukuri!

Si quhet ai njeri që vdekja i duket e bukur, përveç folklorist, antipoetik dhe edhe diçka tjetër…!

3. E Faton Peci ka probleme morale.

Por problemet morale do t’i zgjidh duke “vdekur’!

Ka thënë se për moral është në gjendje të vdes përditë…pas buke.

– Kur Pauli tha në Bibël ‘Unë vdes përditë’, ku me ditë për çfarë e kishte fjalën, nejse, unë e di për çfarë e kishte fjalën Pauli, por më bukur po tingëllon të them që s’e di.

– Ama ministri Peci më shumë efekt do të kishte pasur sikur të kishte thënë, ‘Do të çohem lugat…e do t’ju vizitojë natën’.

4. Përparim Rama ma ka mbushur banesën pluhur, qe një vit e ka thyer platonë para ballkonit tim, sepse është i zënë me tema të mëdha, me Zotin e me këta që flasin në emrin e Tij.

– U bë si Kalifi Abul Al Rashidi (Njëmijë e një net), që e kishte bërë zakon të dilte rëndomë natën i veshur tebdil, për të parë me sytë e tij nëse ishte gjithçka në rregull në kryeqytet dhe nëse bëheshin shkelje e padrejtësira.

– Dhe në këtë harxh, duke kërkuar mëkatarë, bëhej vet pjesë e mëkateve.

– I kish tubuar klerin fetarë, për të bërë iftar në Katedralen ‘Nënë Tereza’.

Çfarë gëzimi! Tash ne duhet të bëjmë LUM që shqiptarët ‘e tolerojnë’ njëri-tjetrin.

Aman.

Vet shprehja ‘unë ta toleroj ty fenë tënde’ është e gabuar.

Demek, nëse dua s’ta toleroj fenë. ….

– Po…Kush po të pyet Ty për leje, se!

5. Ndjej sikur po ec nëpër ‘Bulevardin e ëndrrave të thyera’.

Shkova në Veriun e qytetit për ta blerë nga serbët një shampon për flokë, njëqind për qind më të lirë se në Jugun e qytetit.

– S’kisha kë ta pyes se pse çmimet ku ka serbë janë më të lira se çmimet ku ka shqiptarë!

– Pse serbët s’e vjedhin popullin e vet sa shqiptarët!

– Dhe, pse rrugët e Jugut janë të mbushura me mbeturina, e Veriu është i pastër…

– Rruga më bie kah përmendorja e M.Ukës, që gjithmonë është e mbushur me mbeturina.

Besoj se kjo përmendore e mban rekordin për mbeturina.

– Qyteti duket pa Komunë, pa kryetar, pa Zot shtëpie.

– Kohën e kalova me nipa e me mbesa, për t’i ikur dashurisë së vjetër, që ma ka teshë shpirtin me ankesa.

– Mbesa trevjeçare më ‘akuzoi’ se unë ia kam marrë fustanin e princeshës.

Faji më i bukur në botë.

– Dhe për shkak të kësaj dashurie, për herë të parë u largova nga vendlindja duke qeshur, se përndryshe qaj deri në Vushtrri, e kam si adet të qaj sa herë të mbyllet ajo derë.

6. Padashje, duke u përshëndetur, bateria e telefonit tim u ndez dhe direkt në sytë e babës…qeshëm, se ai tha: ‘special-cat’.

– Pa u bërë tre minuta, rrugës tek gjimnazi, policia speciale, dhjetëra ma drejtuan baterinë në sy dhe më ndaluan.

Një djalë i ri polic, më tha: kontroll i shoferit dhe veturës!

Dhe më urdhëroi: hapi të gjithë xhamat.

– Ai pa disa thasë të zinj, që ishin fustanet e mia pranverore (ngase dy dhoma i kam edhe në Mitrovicë tek vëllezërit).

– I thashë: shqyej thasët, me ymyd që t’i dilte ndonjë dekolte që ia zhvillon imagjinatën…por s’deshi.

– Ai sillej shumë mirë me mua.

Pasi u konsultua diçka në veturën e tyre, kur u kthye, tha unë veç e verifikova a ta kam bërë follow, dhe e pashë që po.

– Më pëlqen shumë.

7. Unë e takova Donika Gërvallën në Zvicër!

Më përshëndeti dhe qeshi.

– E pyeta: A m’u ke idhnu’?!

Tha: Jo.

– A ia kam qëlluar ndonjëherë me shkrimet e mia?!

– Tha: Po.

– Dhe në fund më tha diçka në vesh, që s’do ta harroj kurrë.

– Si u ndjeva unë!

E habitur me zemërgjerësinë e saj, që nuk është hidhëruar me mua!

– Mua s’më pëlqen vetja aspak…se kur s’i flas dikujt, nuk i flas përjetë!

As s’dua kërkimfalje, as s’dua pendim, thjesht s’i flas më, se e urrej pajtimin.

Veç ai që s’i flas, di të tregojë se sa e pamëshirshme jam.

– Dhe, përsëri e pyeta veten: Pse nuk hidhërohen me mua!

8. Kosova po duket si një shkretëtirë, një shtëpi e braktisur dhe e vjedhur, ku askush s’flet me askënd, dhe se tregtarët kriminelë të TV-portaleve prodhojnë të vërteta për tregun e tyre, që…

nëse sot bëhet luftë, mo’ Zot, nuk e kemi një media, një portal, një TV që mund t’i besojmë!

– Në gazetari po ndodh një kaos, studiot janë bërë si një çmendinë, ku gazetarët rrejnë, shajnë, truajnë e mallkojnë.

– Arti po vdes, teatri po vdes, shteti e shpërblen letërsinë e vdekur, letërsinë e shëmtuar, që nuk lexohet, këngët që nuk këndohen…

– Askush me askënd s’flet.

E LDK- ja ka vjedhur vota.

9. Që keni nevojë të pajtoheni me dikë, ndoshta mund të ndihmoj, se vet prezenca ime i zbut zemrat!

– Ju them të pajtoheni politikisht, se pajtim me zemër s’ka pasur as s’do të ketë kurrë.

Të rrejnë kur të thonë ‘ta fala’, se Zemra nuk fal.

10. Edhe Avdullah Hoti është në një ‘burg mendor’…aty përfundoi sepse është i lig, i kompleksuar, që vuan sepse askush s’e merr seriozisht.

– S’duhet të harrohet kurrë se sa ishte kryeministër, Hoti ka pas hartuar rregullore të veçantë dhe antikushtetuese që i ndalonte zyrtarët e shtetit ta denoncojnë krimin dhe t’ia përmendin emrin qeverisë së tij.

– Prandaj, lufta e tij kundër Lumir Abdixhikut është e humbur…

– Është dashur ta mundësh njëherë e pastaj t’i shpallësh luftë!

Razumeš..!

P.S. ‘Çanakala brenda,

U vrava, u varrova,

…..Edhe pa m’ dalë shpirti,

Varrin e kërkova’.

(Shqiptarët).

Të ngjashme