Raporti dhe Komentet KUNDËR Rritjes së Tarifave të Energjisë

Prishtinë | 26 Mar 2025 | 19:02 | Nga Ekonomia Online

Kënaqësi me nda draftin e komenteve dhe rekomandimeve e zgjidhjeve për ZRRE kundër rritjes së çmimit të rrymës. Këtu e kam verzionin e zhvilluar të narrativit. Kësaj do të ja bashkangjes edhe tabelat, grafikonet dhe fakte tjera që kam zhvilluar për këtë rast specifik. Nëse keni komente, ju lutem mi dërgoni deri nëse ora 12:00h.

Në vijim janë komentet e mia lidhur me procesin konsultativ rreth propozimit për rritjen e tarifave të energjisë nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për vitin 2025.

Ky dokument bazohet në komunikatën dhe raportet konsultative të publikuara nga ZRRE ku propozohet rritja e tarifave për vitin 2025. Dokumenti fokusohet dhe vendos theksin në ndikimin e tarifave të propozuara në shoqërinë dhe ekonominë e Kosovës.

Gjithashtu adresohen aspektet ligjore dhe detyrimet e ZRRE-së ndaj ligjeve dhe interesit të publikut. Ky dokument elaboron situatën aktuale në sektorin e energjisë dhe ofron një zgjidhje praktike dhe kreative që merr parasysh interesat e të gjithë hisedarëve, por ruan interesin publik, duke shmangur një valë të re inflacioni në kulmin e krizës financiare të viteve të fundit.

Aspektet Ekonomike

1. Argumenti kryesor është se ZRRE ka përdorur vetëm një nga shumë opsionet e mundshme, duke mos marrë parasysh të gjitha mundësitë që mund të ishin më të favorshme për kontekstin socio-ekonomik të Kosovës. Ky opsion, megjithëse teknikisht mund të duket i arsyeshëm, nuk është i përshtatshëm për situatën aktuale të vendit, sepse do të provokojë dhe shkaktojë një valë të re inflacioni që do të ketë pasoja të pariparueshme për ekonominë dhe përjetimin e qytetarëve. Një rritje e mëtejshme e tarifave do të rrisë barrën mbi konsumatorët duke cenuar fuqinë e blerjes dhe standardin e jetesës të qytetarëve të Kosovës.

2. ZRRE ka propozuar zgjidhjen më të përshtatshme teknike, që siguron energji të mjaftueshme dhe merr parasysh kapacitetet gjeneruese, eksperiencat me gjenerim (sidomos tremujorin e fundit), si dhe kërkesat aktuale. Si e tillë, kjo zgjidhje ka për qëllim të rrisë sigurinë dhe furnizimin energjetik gjatë vitit 2025, duke garantuar një përputhshmëri optimale me nevojat e energjisë të vendit.

3. Derisa zgjidhja dhe propozimi i ZRRE janë teknikisht të duhur, ajo vjen me kosto të jashtëzakonshme për shoqërinë dhe ekonominë. Nëse kostoja e propozimit të ofruar është rritja e çmimit të energjisë, e cila pastaj ka një efekt zinxhiror në të gjitha produktet dhe shërbimet e vendit, kjo kosto është e papërballueshme për shumicën e qytetarëve dhe bizneset..

4. Kjo valë e re inflacioni që propozimi i ZRRE mund të shkaktojë, nuk ndodh e izoluar. Ky është vendimi i tretë brenda pak viteve për rritjen e kostos së energjisë, dhe ai vjen pas inflacionit më të madh historik në dekadat e fundit, i cili ka gjunjëzuar ekonominë dhe ka përgjysmuar fuqinë blerëse të familjeve dhe qytetarëve. Një valë e re inflacioni ka një ndikim shumë më të madh se një rritje prej 15%, sepse ajo ndodh në majën e një periudhe inflacioni të rënduar që nga viti 2021. ZRRE duhet ta shohë vendimin e saj jo të izoluar në fatura, por si një ndikim real socio-ekonomik dhe dëm që do t’i shkaktojë ekonomisë, bizneseve, prodhuesve dhe qytetarëve të Kosovës.

5. Kostoja më e lartë e energjisë në vitin 2021 ka qenë 6.76 cent (tarifa e lartë). Rritja e parë e ka çuar këtë tarifë në 12.52 cent në vitin 2022. Në vitin 2023, çmimi ka shkuar në 14.45 cent, ndërsa në vitin 2024 ka pasur një rënie të lehtë në 13.29 cent. Me rritjen e propozuar prej 15%, tarifa e lartë do të arrijë rreth 15.28 cent, që përfaqëson një rritje prej 126% krahasuar me vitin 2021. Kjo rritje nuk është në përputhje me standardin e jetesës dhe nuk korrespondon me rritjen e pagave, duke e bërë të pamundur për shumë qytetarë të përballojnë këtë kosto të rritur të energjisë.

6. Argumenti se “Kosova ka koston më të lirë të energjisë në rajon” vlen vetëm nëse analizohet në mënyrë të izoluar. Në realitet, kur merret parasysh fuqia blerëse e qytetarëve, të ardhurat mesatare dhe bruto produkti vendor për kokë banori, pamja ndryshon tërësisht. Me rritjen e propozuar prej 15%, Kosova do të ketë një nga kostot më të larta të energjisë jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë. Kostoja mesatare e energjisë do të arrijë në rreth 8.8 cent për kilovat, por kur kjo shifër krahasohet me BPV për frymë, rezulton se Kosova e ka rreth 63.5% më të shtrenjtë energjinë sesa Mali i Zi (pas rritjes). Kur krahasohen çmimet e produkteve dhe shërbimeve, patjetër që duhet të përfshihet edhe kapaciteti real i shpenzimit, fuqia blerëse e publikut..

7. Kur argumentohet se “Kosova ka energjinë më të lirë në Evropë”, një pohim i tillë del të jetë i pajustifikueshëm në praktikë. Nëse paga mesatare e një qytetari evropian është 5,000 euro dhe fatura mujore e energjisë është 100 euro, atëherë kostoja e energjisë përfaqëson vetëm 2% të të ardhurave mujore. Në anën tjetër, nëse paga mesatare në Kosovë është 500 euro dhe fatura mujore e energjisë po ashtu është 100 euro, atëherë pesha e kësaj kostoje për qytetarin kosovar është 20% e të ardhurave mujore. Ky dallim është jashtëzakonisht i madh dhe i pamohueshëm. Prandaj, kur ZRRE përdor krahasime të tilla (si grafikoni i paraqitur në komunikatën për propozimin e rritjes prej 15%) duhet të jetë më sensitive dhe gjithëpërfshirëse, duke marrë parasysh komponentët e tjerë të ekonomisë, si standardi i jetesës, të ardhurat reale dhe mbi të gjitha, fuqia reale blerëse e qytetarëve.

Aspektet Legjislative dhe Procedurale

8. ZRRE ka një detyrim ligjor për të dialoguar me shoqërinë civile dhe grupet e interesit, sidomos kur hap për konsultim publik raporte dhe propozime për çështje me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, siç është rritja e tarifave të energjisë. Megjithatë, që nga fillimi i këtij procesi, ZRRE ka dhënë shenja dhe indikatorë publikë e zyrtarë që sugjerojnë mungesë interesi real për konsultime dhe për të dëgjuar mendimet e palëve të tjera. Komunikimet zyrtare kanë lënë përshtypjen se vendimi është tashmë i marrë, me qëndrime të tipit: “do të shihet vitin tjetër.” Kjo metodë është jo profesionale dhe nuk përputhet me standardet e transparencës dhe pjesëmarrjes, sepse dekurajon hisedarët dhe publikun nga pjesëmarrja aktive, ashtu siç kërkohet me ligj, për të dërguar propozime dhe komente mbi vendimin e propozuar.

9. Tendenca për të dekurajuar publikun nga pjesëmarrja në procesin konsultativ ka ndikim negativ, sepse pikërisht aty mund të gjenden propozime dhe komente të vlefshme që ndihmojnë Rregullatorin të gjejë zgjidhjet më të drejta dhe të balancuara. Një qasje përjashtuese jo vetëm që dëmton legjitimitetin e procesit, por mund të jetë edhe kundërligjore, marrë parasysh që ligji që themelon ZRRE kërkon që ky institucion të jetë transparent, të konsultojë publikun, dhe të ndërmarrë vendime që janë të arsyeshme.

10. Neni 1 i Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, përveçse përcakton kompetencat, detyrat dhe funksionet e Zyrës së Rregullatorit për Energji, e obligon ZRRE-në të sigurojë mbrojtjen e konsumatorit. Rrjedhimisht, çdo rritje e tarifave duhet të analizohet edhe në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe situatës ekonomike aktuale. Një rritje tjetër e çmimit të energjisë elektrike, në një periudhë pas një inflacioni historikisht të lartë, ku çmimet e produkteve bazike janë rritur deri mbi 100%, krijon pasiguri shtesë dhe cenon drejtpërdrejt interesin e konsumatorëve.

11. Neni 13 i Ligjit për Rregullatorin e Energjisë e obligon ZRRE-në të bashkëpunojë me persona apo organizata që përfaqësojnë dhe mbrojnë interesat e konsumatorëve. Jo vetëm në këtë proces konsultativ, por edhe në raportet e viteve të kaluara, shihet qartë se ZRRE nuk i ka marrë parasysh rekomandimet dhe nuk ka përfshirë në mënyrë efektive Organizatën për Mbrojtjen e Konsumatorëve, e cila përfaqëson interesin e drejtpërdrejtë të qytetarëve në raport me tarifat dhe shërbimet energjetike. Kjo përbën një mospërputhje me detyrimet ligjore të Rregullatorit dhe dëmton legjitimitetin e procesit vendimmarrës në raport me interesin publik.

12. Neni 15, pika 1.5 e Ligjit për Rregullatorin e Energjisë kërkon që ZRRE të sigurojë se tarifat e rregulluara për aktivitetet e energjisë janë të arsyeshme. Arsyeshmëria nuk mund të kufizohet vetëm në aspektin teknik apo financiar të operatorëve, por duhet të shtrihet edhe në dimensionin socio-ekonomik, duke marrë parasysh nëse tarifat janë të përballueshme për qytetarët, në përputhje me fuqinë e tyre blerëse, nivelin e të ardhurave dhe bruto produktin vendor për kokë banori. Vetëm në këtë mënyrë tarifat mund të konsiderohen realisht të arsyeshme dhe në përputhje me interesin publik.

13. Neni 10, pika 1.1 e Ligjit për Rregullatorin e Energjisë përmend qartë detyrat dhe kompetencat e Rregullatorit, duke përfshirë në veçanti monitorimin e konkurrencës dhe transparencës në tregjet e energjisë në Kosovë. Megjithatë, ZRRE nuk i ka publikuar raportet vjetore financiare të OSSH/KEDS, gjë që e bën procesin e konsultimit të vështirë dhe vendosjen e të hyrave maksimale të lejuara të pamundur për t’u kuptuar nga publiku dhe hisedarët. Pa transparencë në këtë aspekt, është e vështirë të vlerësohen humbjet e lejuara apo të kuptohen investimet e obliguara. Mungesa e këtij informacioni dëmton besimin publik dhe reputacionin e Rregullatorit, si dhe të aktorëve kyç në ekosistemin e energjisë të rregulluar nga ZRRE.

14. Neni 2, pika 1 e Ligjit për Rregullatorin e Energjisë vendos fokusin tek nevoja për të konsideruar ndikimin socio-ekonomik dhe standardin e jetesës në tërë Kosovën. Ky nen kërkon që zbatimi i masave të jetë i përshtatshëm për përforcimin e kohezionit social dhe ekonomik, që do të thotë se çdo vendim për tarifat duhet të vlerësohet jo vetëm nga aspekti teknik apo financiar, por edhe në funksion të ndikimit real në jetën e qytetarëve, në barazinë sociale dhe në stabilitetin ekonomik të vendit.

15. Neni 15, paragrafi 1.9 i Ligjit për Rregullatorin e Energjisë kërkon që të sigurohet balancimi i interesave ndërmjet konsumatorëve dhe ndërmarrjeve të energjisë në mënyrë adekuate, si dhe që të mbrohen konsumatorët në nevojë. Kjo dispozitë e obligon ZRRE-në të vlerësojë ndikimin e tarifave në aspektin socio-ekonomik. Fakti që rregullatori vazhdimisht po rrit barrën financiare mbi konsumatorët, përmes rritjes së faturave, ndërkohë që nuk publikon fitimet reale të ndërmarrjeve, ngre pikëpyetje serioze mbi zbatimin e drejtë të këtij neni dhe mbi balancën reale që ZRRE duhet të ruajë ndërmjet interesit publik dhe atij të operatorëve komercialë.

16. Neni 15, paragrafi 7.5 i Ligjit për Rregullatorin e Energjisë, në kuadër të detyrave dhe përgjegjësive të institucionit, kërkon që të gjithë shfrytëzuesit aktualë apo potencialë të sistemit të konsultohen në mënyrë të hapur dhe transparente. Kjo dispozitë nënvizon qartë detyrimin për përfshirjen e publikut dhe të të gjitha palëve të interesuara në procesin e vendimmarrjes për tarifat dhe planet e investimit, duke garantuar një proces të hapur, gjithëpërfshirës dhe të kuptueshëm që reflekton realisht interesin publik, dhe jo vetëm nevojat teknike apo financiare të operatorëve.

Sektori i Energjisë

17. Sipas raporteve konsultative, një ndër arsyet kryesore pse po propozohet rritja e tarifave të energjisë lidhet me kapacitetet dhe stabilitetin gjenerues të KEK-ut, sidomos gjatë tremujorit të fundit të vitit, kur rritet nevoja për import nga jashtë, ku çmimet janë rreth pesë herë më të larta. Po ashtu, faktorë shtesë janë investimet në sektor, përfshirë iniciativën për krijimin e rezervave energjetike në kuadër të shërbimeve ndihmëse. Ekuilibri dhe menaxhimi i këtyre tri proceseve, (a) prodhimi i brendshëm, (b) importi dhe (c) investimet, përbëjnë sfidën qendrore që çon në rritjen e kostos së propozuar. Rrjedhimisht, zgjidhja duhet të jetë e matur, e mirëmenaxhuar dhe e përshtatur me kontekstin socio-ekonomik të Kosovës.

18. Në raportet konsultative dhe në kërkesat e KEDS dhe KESCO, disa herë është theksuar se KEK ka devijuar nga plani i gjenerimit të energjisë, dhe se në momente të fundit, me njoftime afatshkurtra, ka informuar për dështimin në sigurimin e energjisë së planifikuar dhe të dakorduar me palët përkatëse. Roli i KEK-ut është thelbësor në zinxhirin e furnizimit me energji. Megjithatë, duket se ZRRE, në vend që të kërkojë përgjegjësi dhe përmirësim të efikasitetit të KEK-ut, ka hequr dorë nga ky dimension, duke zgjedhur që si zgjidhje të mbështetet në importin e energjisë, dhe kështu e ka zhvendosur barrën financiare te konsumatori. Kjo qasje, përveç që dobëson rolin e prodhimit të brendshëm, rrit edhe varësinë nga tregjet ndërkombëtare dhe cënon qëndrueshmërinë energjetike të vendit.

19. Në këtë kontekst, duhet pasur parasysh se KEK ka kaluar në një periudhë krize menaxheriale, nën presion publik dhe juridik pas arrestimeve dhe hetimeve që lidhen me zyrtarë të lartë të ndërmarrjes. Kjo situatë ka krijuar pasiguri dhe ka ndikuar që KEK ndoshta të mos jetë menaxhuar me kapacitetin dhe efikasitetin maksimal. Megjithatë, ZRRE nuk duhet të heqë dorë nga përpjekjet për të nxjerrë kapacitetet maksimale të mundshme nga KEK, edhe duke marrë parasysh vjetërsinë e Termocentraleve “Kosova A” dhe “Kosova B”. Bashkëpunimi ndërinstitucional dhe përqendrimi në zgjidhje të qëndrueshme për furnizim të brendshëm janë thelbësore, në mënyrë që të sigurohet stabilitet energjetik me kosto të përballueshme për qytetarët, pa qenë e nevojshme rritja e re e tarifave.

20. Kosova ka nevojë të importojë dhe eksportojë energji, por kjo duhet të bëhet duke pasur parasysh barrën dhe koston sociale e ekonomike që kjo sjell për qytetarët dhe për ekonominë e vendit. Gjithashtu, investimet në rezerva energjetike duhet të realizohen vetëm kur kushtet janë optimale, dhe kur ato nuk përkthehen në kosto të larta për publikun. Rritja e investimeve në 43 milionë euro shtesë në kuadër të shërbimeve ndihmëse mund të jetë një strategji e qëndrueshme në parim, por vetëm nëse barra e saj nuk rëndon ekonominë. Nëse ky investim nënkupton rrezikun e një vale të re inflacioni, atëherë vendimi duhet të shtyhet për një periudhë më të përshtatshme, kur ndikimi i tij të jetë më i përballueshëm për shoqërinë dhe qytetarët.

21. Rritja dramatike e humbjeve në 86.65 milionë euro, si pasojë e rritjes së importit të energjisë, ka pasoja të mëdha për sistemin energjetik dhe për konsumatorin final. Veçanërisht shqetësuese është mungesa e transparencës, pasi publiku nuk ka qasje në raportet financiare të operatorëve, për të kuptuar saktësisht sa janë blerjet faktike të energjisë dhe cilat janë humbjet reale. Kjo mungesë transparence e bën të vështirë vlerësimin objektiv të kërkesave për humbje të lejuara. Kërkesa e KEDS për vitin 2025 në vlerë prej 102 milionë euro, dhe propozimi i ZRRE në 86.65 milionë euro nga 69.69 milionë euro të planifikuara në dokumentin strategjik PRR3 përbëjnë një barrë të lartë që ndikon drejtpërdrejt në propozimin për rritjen e çmimit të energjisë. ZRRE duhet të kërkojë që humbjet e KEDS të jenë më të menaxhueshme dhe të kërkojë respektimin e planit strategjik të miratuar nga vetë rregullatori, në lidhje me humbjet dhe të hyrat e lejuara maksimale, në kuadër të dokumentit PRR3.

22. Investimet në veri dhe rritja e pagës minimale janë ndër faktorët shtesë që përdoren si arsye në kërkesat dhe propozimet për rritjen e tarifave. Ndërsa rritja e pagës minimale përfaqëson një kosto që nuk mund të injorohet, investimet në veri të vendit, për të cilat ngarkohen qytetarët në rajone dhe komuna të tjera, duken të padrejta dhe jo të përshtatshme. Pse duhet një qytetar që jeton në Kamenicë të paguajë për investime që realizohen në Leposaviq? ZRRE duhet të shqyrtojë me kujdes këto shpenzime dhe investime, dhe të kërkojë mënyra alternative për financimin e tyre, në mënyrë që të mos dëmtohet publiku dhe të mos ngarkohet padrejtësisht qytetari që nuk përfiton drejtpërdrejt nga këto projekte.

23. ZRRE, në këtë kontekst, duhet të angazhohet që mjetet e marra padrejtësisht nga qytetarët e Kosovës për të paguar energjinë e konsumuar në veri të kthehen. Ashtu sikurse rregullatori po angazhohet për të propozuar rritje të tarifave për të mbuluar kostot e operatorëve, po aq duhet të mbrojë edhe interesin dhe të drejtat e publikut dhe konsumatorit. Mjetet që janë marrë në mënyrë joligjore duhet të kthehen sa më parë tek konsumatorët, ose të zbriten nga faturat e tyre, për të siguruar drejtësi dhe balancë në qasjen e rregullatorit ndaj qytetarëve dhe operatorëve energjetikë. Ky mund të jetë një mekanizëm shtesë për të kompenzuar shpenzimet e propozuara, duke ulur barrën mbi konsumatorin dhe duke siguruar që kontributi i qytetarëve të mos shndërrohet në ndëshkim të padrejtë, por në një instrument lehtësimi apo kompensimi real, në përputhje me kostot që po shtohen në sistemin energjetik.

Propozimi për Zgjidhje të Zgjuar Praktike

24. Në parim, arsyeja kryesore pse Rregullatori i Energjisë po propozon rritjen e tarifave për vitin 2025 është rritja e të hyrave të lejuara maksimale për operatorët KEDS, KESCO dhe KOSTT. Rrjedhimisht, kjo është edhe arsyeja kryesore pse po kërkohet rritja e çmimit të energjisë elektrike. Nëse ky është shkaktari kryesor, atëherë pikërisht në këtë pikë duhet të kërkohen zgjidhjet duke analizuar mundësitë për optimizim të kostove brenda operatorëve, rritje të transparencës në shpenzime, dhe bashkëpunim me Qeverinë për forma alternative të mbështetjes, pa e ngarkuar drejtpërdrejt qytetarin.

25. Në procesin konsultativ, KEDS ka kërkuar të hyra të lejuara maksimale për vitin 2025 në vlerë prej 217.74 milionë euro, që përfaqëson një rritje dramatike krahasuar me vlerën prej 120.592 milionë euro në vitin 2024. Kjo kërkesë është dukshëm më e lartë edhe sesa vlera e planifikuar në dokumentin strategjik afatmesëm të ZRRE (PRR3), ku për KEDS janë aprovuar vetëm 133.075 milionë euro. Rritja e të hyrave të lejuara e propozuar nga vetë ZRRE për vitin 2025 është 36.44% më e lartë se plani i PRR3, ndërsa kërkesa e KEDS është 63.62% më e lartë se sa është parashikuar në dokumentin strategjik të vitit 2023. Këto diskrepanca janë të jashtëzakonshme dhe dramatike, me ndikim të thellë jo vetëm në rritjen e tarifave, por edhe në standardin e jetesës dhe qëndrueshmërinë e ekonomisë së Kosovës.

26. Barrën më të lartë të të hyrave të kërkuara nga KEDS e përbën rritja e humbjeve. Sipas dokumentit strategjik PRR3 të ZRRE-së, kostoja e paraparë për humbjet e KEDS për vitin 2025 ka qenë 69.697 milionë euro, ndërsa kërkesa e vetë KEDS është rritur në 102 milionë euro. Kjo përfaqëson një rritje prej 56.95% krahasuar me vitin paraprak, kur kostoja e humbjeve ishte 65.371 milionë euro. Propozimi aktual i ZRRE-së për humbjet e lejuara është 86.652 milionë euro, që është 32.55% më shumë se në vitin e kaluar dhe 24.33% më shumë sesa ishte planifikuar në PRR3. Ka pasur raste të mëparshme në proceset konsultative kur KEDS ka paraqitur kërkesa të larta për mbulimin e humbjeve, por ZRRE ka treguar arsyeshmëri dhe ka vendosur vlera më të balancuara. Ky nuk do të ishte rasti i parë që ZRRE reflekton sensin e përgjegjësisë dhe ndjeshmërisë ndaj situatës ligjore dhe kontekstit socio-ekonomik, duke marrë vendime që mbrojnë interesin publik.

27. Rritja e humbjeve justifikohet me faktin se KEK nuk pritet të gjenerojë energji në kapacitet të plotë, veçanërisht gjatë tremujorit të fundit të vitit, dhe se kostoja e importit është shumëfish më e lartë. Megjithatë, duhet të theksohet se kostoja aktuale e importit nuk është më e lartë sesa në vitet paraprake, sidomos kur krahasohet me kulmin e çmimeve në vitin 2022. Sipas raporteve të ZRRE, në atë periudhë kostoja kishte arritur deri në 1000 euro për MWh, ndërsa aktualisht çmimi mesatar i importit është rreth 150 euro për MWh që përfaqëson një rënie prej 566.67% krahasuar me nivelin më të lartë historik. Nëse humbjet përbëjnë një ndër faktorët kryesorë të propozimit për rritjen e tarifave, atëherë kjo vlerë duhet të rishikohet, pasi nuk pasqyron realisht gjendjen aktuale të tregut dhe mund të përbëjë një barrë të panevojshme për konsumatorët.

28. Rishikim duhet të ketë gjithashtu edhe në lidhje me investimin e planifikuar prej 43 milionë euro për shërbimet ndihmëse të KOSTT/OST, ku linja buxhetore është rritur me 137.31% — nga 18.17 milionë euro në vitin paraprak në 43.12 milionë euro për vitin 2025. Edhe pse ideja për forcimin e sigurisë energjetike përmes rezervave është e drejtë në kushte normale, kostoja e këtij projekti në kushtet aktuale socio-ekonomike dhe me rrezikun e një vale të re të inflacionit nuk është zgjidhje e përshtatshme për momentin. Kjo linjë buxhetore duhet të rishikohet me kujdes, dhe projekti të shtyhet për një moment më të favorshëm, në mënyrë që të mos rëndohet më tej situata ekonomike dhe financiare e konsumatorëve dhe bizneseve në Kosovë.

29. Pas rishqyrtimit dhe rishikimit të linjave kryesore buxhetore, përkatësisht asaj të humbjeve të KEDS dhe shërbimeve ndihmëse të KOSTT, vlera e të hyrave të lejuara maksimale për operatorët do të ulet nga gjithsej 115 milionë euro shtesë të propozuara për vitin 2025 në 72.20 milionë euro. Të hyrat e lejuara për KOSTT do të balancohen në 72.51 milionë euro (nga 94.46 milionë), ndërsa për KEDS do të zbriten në 165.45 milionë euro (nga 186.74 milionë). Ky rishikim ofron një qasje më të matur dhe më të përballueshme për konsumatorin, duke ruajtur një nivel të arsyeshëm të të hyrave për operatorët, por pa shkaktuar barrë të tepruar mbi ekonominë.

30. Duhet të theksohet se, edhe pas balancimit të propozuar, të hyrat e lejuara për KEDS mbeten 23.7% më të larta sesa të planifikuara fillimisht nga ZRRE në dokumentin strategjik PRR3 — përkatësisht nga 133.75 milionë euro të planifikuara në 165.45 milionë euro të rishikuara dhe të balancuara. Ky provizion dhe ky rekomandim dëshmojnë se zgjidhja e propozuar ka marrë parasysh edhe interesin e KEDS-it, duke synuar të ofrojë një zgjidhje praktike, kreative dhe të qëndrueshme që reflekton kompromisin e nevojshëm: të gjitha palët përfitojnë, por në thelb ruhet interesi publik dhe stabiliteti ekonomik i vendit. Rritja e tarifave nuk duhet të jetë opsioni i parë, por i fundit. Vetëm përmes këtij parimi mund të mbrohet fuqia blerëse e qytetarëve dhe të sigurohet që ekonomia të mos përballet me valë të reja të inflacionit të panevojshëm.

31. Zgjidhja e propozuar është e thjeshtë dhe praktike. Së pari, duhet të fokusohemi në menaxhimin efektiv të KEK-ut, me qëllim që të sigurohet prodhimi maksimal i energjisë, sidomos gjatë periudhave kritike të vitit, duke garantuar stabilitet në furnizim. Së dyti, është e domosdoshme që të rishikohen humbjet e lejuara për KEDS dhe të respektohen dokumentet planifikuese dhe strategjike të aprovuar nga institucionet përkatëse, duke marrë parasysh kontekstin ekonomik aktual. Të hyrat e lejuara për KEDS duhet të balancohen në 165.45 milionë euro, ndërsa niveli i humbjeve të kufizohet në 65.37 milionë euro, aq sa ka qenë në vitin paraprak. Kjo është e arsyeshme, pasi kostoja e energjisë nga importi nuk është rritur, dhe nuk ekziston një bazë reale për rritje kaq të theksuar të tarifave për konsumatorët.

32. Këto dy rishikime buxhetore duhet të realizohen dhe vendimet përkatëse duhet të ndërmerren, edhe nëse kjo nënkupton që Kosova nuk do të ketë siguri maksimale të furnizimit me energji gjatë të gjitha stinëve të vitit. Në kontekstin aktual socio-ekonomik, opsioni i reduktimeve të targetuara për një periudhë të kufizuar kohore paraqitet si një zgjidhje më e mençur, më e matur dhe më e përgjegjshme sesa rritja e tarifave që do të nxisnin një valë të re inflacionare.

33. Inflacioni është një nga kërcënimet më të mëdha për ekonominë një “kancer” i vërtetë që sjell pasoja të pariparueshme: çmimet rrallëherë kthehen në nivelet e mëparshme, ndërsa fuqia blerëse e qytetarëve dhe vlera reale e ekonomisë dëmtohen në mënyrë të pakthyeshme. Prandaj, në këtë situatë, një recesion i përkohshëm dhe reduktime të mundshme në furnizim janë një alternativë më e pranueshme sesa rritja e menjëhershme e çmimeve. Nëse ZRRE vendos të ndjekë një plan me reduktime potenciale, duhet patjetër të ketë parasysh interesin e ekonomisë kombëtare dhe të bizneseve, të cilat duhet të trajtohen si prioritet në furnizimin me energji. Ruajtja e aktivitetit prodhues dhe mbajtja e vendeve të punës është thelbësore për të garantuar stabilitet ekonomik dhe për të shmangur një krizë të thellë sociale.

34. Pas korrigjimeve për humbjet dhe shërbimet ndihmëse, vlera e mbetur e të hyrave të lejuara shtesë për vitin 2025 do të jetë 72.20 milionë euro. Si rezultat, shuma e përgjithshme e të hyrave të lejuara për operatorët KEDS, KESCO dhe KOSTT do të zbresë në 672.66 milionë euro, sipas përllogaritjeve të rishikuara nga ana e ZRRE-së. Kjo përfaqëson një rritje prej 72.20 milionë euro krahasuar me vitin 2024, kur të hyrat e lejuara ishin 600.47 milionë euro. Ky fakt tregon se, edhe pas balancimeve teknike, ekziston hapësirë për fleksibilitet financiar, pa pasur nevojë për rritje të mëtejshme të tarifave që do të rëndonin konsumatorët.

35. ZRRE duhet të zhvillojë dialog me Qeverinë e Kosovës për të arritur një marrëveshje për subvencionim direkt nga buxheti i shtetit në vlerë prej 72.2 milionë euro. Një veprim i tillë do të shmangte ndikimin e drejtpërdrejtë të inflacionit në ekonomi dhe, mbi të gjitha, do ta bënte të panevojshme rritjen e tarifave të energjisë në një moment të ndjeshëm për shoqërinë dhe ekonominë e vendit. Një zgjidhje e tillë do të demonstronte përgjegjësi institucionale, bashkëpunim ndërsektorial dhe përkushtim për mbrojtjen e interesit publik, duke siguruar stabilitet energjetik pa rrezikuar standardin e jetesës së qytetarëve.

36. Qeveria e Kosovës ka dëshmuar, së paku në dy raste konkrete, se ka kapacitete buxhetore për të siguruar një shumë të tillë nga buxheti i shtetit, i cili për vitin 2025 arrin vlerën prej 3.6 miliardë euro. Rasti i parë është ai i ndihmave prej 100 eurosh që Qeveria i ka dhënë rreth 700,000 qytetarëve para zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke e realizuar këtë masë brenda një afati rekord dhe pa qenë e planifikuar më parë në buxhetin e ministrive apo të shtetit. Ky veprim demonstron qartë fleksibilitetin buxhetor dhe kapacitetin institucional për të ndërhyrë drejtpërdrejt, kur ekziston vullnet politik dhe kur përparësi u jepet nevojave të qytetarëve.

37. Gjithashtu, me rëndësi për këtë rast është fakti se në vitin 2022 Ministria e Ekonomisë ka propozuar dhe është zotuar, në emër të Qeverisë së Kosovës, të financojë 75 milionë euro nga mjetet e tatimpaguesve kosovarë për të subvencionuar koston e energjisë. Arsyeja kryesore e dhënë në justifikim të kësaj mase ka qenë zbutja e ndikimit të kostove të larta të blerjes së energjisë në tregjet ndërkombëtare. Në vitin 2025, kushtet socio-ekonomike dhe çmimet e konsumit e të jetesës janë ndjeshëm më të larta sesa në vitin 2022. Rrjedhimisht, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Ekonomisë nuk kanë asnjë arsye të mos alokojnë një fond të ngjashëm edhe për këtë vit, me qëllim që të shmanget një valë e re e inflacionit në ekonominë kosovare — një valë që do të kishte pasoja të drejtpërdrejta dhe të rënda për fuqinë blerëse të qytetarëve dhe për aktivitetin ekonomik të bizneseve vendore.

38. Përfundimisht, pas rishikimit të të hyrave të lejuara për KOSTT dhe KEDS, ndërkohë që të hyrat e KESCO mbeten të pandryshuara, dhe pas arritjes së një zgjidhjeje me Qeverinë e Kosovës për subvencionimin e shumës prej 72 milionë euro, ZRRE nuk ka nevojë të propozojë rritje të tarifave për vitin 2025. Ky subvencion nga qeveria nuk duhet të reflektohet në faturat e konsumatorëve, por të jetë përkrahje direkte që krijon një mekanizëm mbështetës në formë ‘by-pass’-i, i cili siguron që tarifat të mbeten të qëndrueshme dhe që një valë e re inflacioni të mos provokohet nga vendimet e ZRRE. Kjo do të ndihmonte në ruajtjen e stabilitetit ekonomik dhe të fuqisë blerëse të qytetarëve.

39. Një nga mjetet shtesë që është diskutuar në publik është mundësia e heqjes së TVSH-së nga kostoja e energjisë elektrike. ZRRE duhet të angazhohet dhe të bashkëpunojë ngushtë me institucionet përkatëse, që kjo masë të merret seriozisht në konsideratë, veçanërisht në raste si ai që po trajtohet aktualisht, por edhe në vitet në vijim. Largimi i përkohshëm apo i plotë i TVSH-së nga fatura e energjisë do të përbënte një lehtësim të drejtpërdrejtë për konsumatorët dhe një mekanizëm të efektshëm për të parandaluar rritjen e tarifave, në kohë kur fuqia blerëse është e brishtë dhe ekonomia po përballet me sfida të shumta. Një masë e tillë do të kontribuonte ndjeshëm në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve në një sektor që ndikon drejtpërdrejt në mirëqenien e çdo familjeje dhe në konkurrueshmërinë e bizneseve në Kosovë.

40. ZRRE duhet të veprojë në mënyrë proaktive dhe të punojë ngushtë me të gjithë hisedarët për të përshpejtuar rritjen e kapaciteteve të gjenerimit të energjisë, duke e bërë këtë një prioritet kombëtar. Rritja e kapaciteteve të brendshme të prodhimit është themelore për garantimin e çmimeve të qëndrueshme dhe të përballueshme për qytetarët dhe bizneset. Nuk është e pranueshme që opsioni i parë i ZRRE-së të jetë vendosja e barrës mbi konsumatorët dhe ekonominë. Përkundrazi, institucionet duhet të mendojnë në mënyrë strategjike dhe afatgjatë, duke bashkëpunuar ngushtë me Qeverinë dhe Kuvendin e Kosovës për të siguruar që investimet në kapacitete të reja të mos vonohen. Çdo vonesë në këtë drejtim e rrit varësinë nga importi dhe ekspozon sistemin energjetik ndaj rreziqeve të çmimeve të larta dhe të paqëndrueshme në tregjet ndërkombëtare. Vetëm përmes investimeve të qëndrueshme dhe bashkëpunimit ndërinstitucional mund të garantojmë siguri energjetike dhe stabilitet ekonomik për vendin.

Të ngjashme