Midis absurditetit social dhe banalitetit politik

Prishtinë | 25 Pri 2025 | 15:10 | Nga Arsim Ajeti

Mund të tingëllojë si një komplot filmi nga platforma Netflix, ose një citat nga veprat e Kafkës, por jo — po flasim për skenën politike kosovare, e cila 90 ditë pas zgjedhjeve nacionale tashmë po flet për rizgjedhje të jashtëzakonshme.

E gjithë kjo vjen nga ngërçi politik që ngjan më shumë me fiset nomade që uzurponin pronat e huaja, sesa me formacione politike që kanë obligim të adresojnë çështjet thelbësore të komunitetit të cilit i përkasin.

Për vite me radhë jemi përballur me një mungesë të normalitetit politik — një fenomen që duhet të jetë epiqendra e një shoqërie funksionale. Dhe ajo mungon, sepse faktori politik vepron në mënyrë të papërgjegjshme dhe sillet si grupacion huliganësh, ndërsa mungon llogaridhënia për vendimet e marra në fund.

Në vend të progresit ekonomik, e tëra çfarë po trashëgojmë janë probleme aq bazike, saqë ndikimi negativ në mirëqenien e përgjithshme të qytetarëve në Kosovë është i madh.
E tëra kjo mund të duket aksidentale, por në fakt është një pasojë e mosdijes dhe arrogancës qeveritare të trashëguar ndër vite.

Problemet janë aq absurde, saqë brezi i ri do të shokohet nga qasja dhe varfëria intelektuale që ka udhëhequr Kosovën që nga shpallja e pavarësisë e deri më sot.
Për shembull, kemi sektorin e energjisë i cili për vite me radhë është vjedhur më shumë sesa tregtuar, ndërsa shtrenjtimi i faturave po shërben si një balancim grotesk i humbjeve korruptive, me arsyetime edhe më banale si “rrjedhja në kazan” ose “prishja në bojler”.

Pothuajse çdo marrëveshje ndërkombëtare përfundon në arbitrazh me humbje të mëdha financiare, por këto humbje paguhen nga taksat e qytetarëve, e jo nga llogaritë personale të politikanëve të paaftë.
Përkundrazi, pasuria e tyre vetëm sa po rritet çdo ditë.

Edhe pse jemi një nga vendet me më shumë qymyr në botë, Kosova vazhdon të ketë probleme ekzistenciale në sektorin e vetëm që pritej të gjeneronte fitime marramendëse, duke pasur parasysh çmimin e energjisë elektrike në tregjet botërore sot.
Pra, po përballemi me probleme bazike dhe të pakonceptueshme në një kohë kur shoqëritë e zhvilluara po merren me inovacione në fusha të ndryshme. Vështirë të besohet se në çfarë absurditeti kemi arritur si shoqëri sot.

Shumë prej nesh kemi menduar gabimisht, duke shpresuar se ndryshimi vjen nga rotacionet politike. E vërteta është se qeveritë po riciklohen dhe ne po kemi rotacion politik, por ndryshimet po rezultojnë të jenë vetëm kozmetike — dhe asgjë më shumë.

Në fakt, asgjë nuk po ndryshon për sa i përket problemeve që ka shoqëria kosovare. Ironikisht, ato vetëm sa po shtohen dhe zvarriten, neglizhohen e injorohen me pretekste tërësisht jo relevante.
Në anën tjetër, marrëveshjet banale — siç është sistemimi i kriminelëve nga Danimarka në burgjet e Kosovës për disa mijëra euro në këmbim — na paraqiten si “arritje të mëdha”.

Për të plotësuar mozaikun e paaftësisë politike, kemi Komunën e Prishtinës, e cila nuk zhgënjen në këtë drejtim.
Kjo komunë, me qasjen e saj sharlataneske, ngjan më shumë me satirën e serialit South Park, sesa me një administratë funksionale.

South Park, skenari mbetet po i njëjti me vite: akterët banalizojnë çdo situatë aktuale duke sfiduar njëri-tjetrin me aktet më të palogjikshme të mundshme.
Nga mënyra se si administrohet kryeqyteti — ku kemi rritje të sulmeve nga qentë endacakë, rritje të papastërtisë, mbyllje biznesesh, rritje të taksave dhe zero organizime kulturore — por në fund rezulton se kemi suficit buxhetor?!
Kjo tingëllon surreale, por është e vështirë të gjesh dallimin se ku fillon seriali komik dhe ku mbaron paaftësia politike.

Thënë shkurt: kemi një kastë politike që nuk di çfarë të bëjë me buxhetin që ka, dhe nuk ka as ide, as plan-program se si të veprojë me projektet strategjike.

Në fund shtrohet pyetja:
Çfarë duhet bërë dhe si të çlirohemi nga paaftësia, byrokracia dhe korrupsioni endemik që ka kapluar pothuajse çdo instancë shtetërore?
A duhet ta formojmë edhe ne një ‘DOGE’ si Amerika? Por ne nuk kemi një individ si Elon Musk për ta udhëhequr atë.
A duhet ta formojmë një ‘SPAK’ si Shqipëria? Por ne nuk kemi vullnetin politik as për këtë.

Prandaj, derisa të gjejmë vullnetin, guximin dhe dijen, do të na duhet të durojmë sjelljet banale të klasës politike — dhe mbase do të na duhet të migrojmë në fund.

Të ngjashme