Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e ka ftuar Vetëvendosjen të “matet”. Ai ka thënë se kjo parti duhet ta ndërrojë kandidaten për kryeparlamentare, pas të cilit proces vjen formimi i qeverisë, për të cilën sipas tij Kurti s’i ka votat.
Ai i ka siguruar qytetarët se “e bëjmë qeverinë”, raporton Ekonomia Online.
Krasniqi ka thënë se Kurti nuk po dëshiron të dalë nga zyra e Kryeministrit, në të cilën edhe ashtu po qëndron në mënyrë joligjore.
“Ne e ftojmë Vetëvendosjen të matet, ta ndërrojë kandidatin, dhe më pas vjen qeveria. Ju siguroj që do ta bëjmë qeverinë. Frika nga humbja e pushtetit e ka sjellë këtë situatë. Kurti nuk po dëshiron të dalë nga zyra e Kryeministrit, në të cilën edhe ashtu po qëndron në mënyrë joligjore.”
“Ne jemi të gatshëm të marrim përgjegjësitë tona, por Lëvizja Vetëvendosje, duke mos dashur ta pranojë humbjen në zgjedhje, po vazhdon ta mbajë peng procesin. Një gjë ta kenë të qartë: kur nuk pajtohesh me të vërtetën dhe realitetin, nuk mund ta ndryshosh atë – duhet ta ndryshosh vetveten.
Duhet të vijnë me një kandidaturë tjetër që të zhbllokohet Kuvendi. As votim të hapur, as të fshehtë nuk do të ketë për zonjën Haxhiu – nuk ka pse të mbetet peng shteti për të. Kjo që po ndodh nga Vetëvendosje është dhunim i demokracisë. Demokracia është pluralizëm, dhe këtu nuk po ka pluralizëm. Ne nuk jemi këtu për t’u bërë shokë apo miq, por për të përfaqësuar qytetarët.”
