Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se njësia A4 e Termocentralit “Kosova A” është ndalur nga operimi që nga mesnata e së hënës, si masë parandaluese ndaj një defekti të mundshëm më të madh në sistemin e ventilatorëve të kullës ftohëse.
Sipas njoftimit zyrtar, ndalesa është bërë për të shmangur dëmtime të mëdha teknike dhe për të lejuar trajtimin e menjëhershëm të sinjalizimeve të pranuara. KEK njoftoi gjithashtu se partnerët afaristë janë informuar me kohë për ndërprerjen dhe se kapaciteti i njësisë A4 nuk ishte planifikuar për prodhim gjatë ditës së ardhshme.
“Ekipet e Termocentralit janë në gatishmëri të plotë dhe do të ndërmarrin të gjitha veprimet për identifikimin dhe sanimin e problemit, sapo të krijohen kushtet teknike”, thuhet në njoftimin e KEK-ut.
Korporata theksoi se qëllimi kryesor mbetet kthimi i njësisë A4 në funksion sa më shpejt që të jetë e mundur.