Një incident i frikshëm ka ndodhur në një park argëtimi në Portland të SHBA-së, ku 28 persona mbetën të bllokuar kokëposhtë në një karusel, rreth 30 metra mbi tokë.
Ngjarja ndodhi më 14 qershor 2024 në atraksionin “AtmosFEAR”, në Oaks Amusement Park.
Pajisja u ndal papritur në pozicion të përmbysur, ndërsa pasagjerët u detyruan të qëndronin të varur nga rripat dhe mbështetëset, me gjakun që u shkonte në kokë.
Dy vajza, të cilat në atë kohë ishin 13 dhe 14 vjeçe, treguan në gjykatë se përjetuan momente tmerri.
Ato thanë se kishin vështirësi në frymëmarrje dhe frikë të vazhdueshme se mbajtëset e shpatullave mund të hapeshin dhe të binin nga lartësia, transmeton Klankosova.tv.
Njëra prej tyre tregoi se kishte parë njerëz duke qarë dhe madje disa prej tyre duke vjellë nga frika.
Sipas familjeve të viktimave, parku nuk kishte një plan funksional emergjence për një situatë të tillë.
Punonjësit fillimisht nuk dinin si ta rikthenin pajisjen në funksion dhe u detyruan të telefononin për udhëzime, ndërsa më pas pritën zjarrfikësit dhe pajisjet speciale për shpëtim.
Pas procesit gjyqësor, një juri vendosi në favor të dy vajzave. Xitlali Gomez-Salais dhe Evie Yannotta u shpërblyen me nga 275 mijë dollarë dëmshpërblim, rreth 235 mijë euro secila.