GLPS: Kriza institucionale i kushtoi Kosovës anëtarësimin në Këshillin e Evropës

Prishtinë | 14 Maj 2025 | 11:02 | Nga Ekonomia Online

GLPS ka reaguar pas mosdiskutimit të kërkesës së Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës gjatë takimit të Komitetit të Ministrave më 13-14 maj në Luksemburg.

Sipas organizatës, kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e krizës institucionale dhe mungesës së një Kuvendi funksional, pas 15 tentimeve të pasuksesshme për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit.

GLPS thekson se dështimi për të trajtuar aplikimin tani e shtyn mundësinë për votim deri në majin e ardhshëm, kur rreziqet gjeopolitike, përfshirë rikthimin e mundshëm të Rusisë në KiE, mund ta pamundësojnë përfundimisht anëtarësimin e Kosovës.

Organizata kërkon urgjentisht përgjegjësi politike dhe formimin e institucioneve stabile për të mbrojtur interesin afatgjatë të vendit.

Më 13 e 14 maj, Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës u mblodhën në Luksemburg në takimin e tyre vjetor. Fatkeqësisht, në këtë takim nuk u diskutua kërkesa për anëtarësim e Kosovës e cila ka mbetur peng që nga viti i kaluar. Kjo situatë vjen në mes tjerash, si rezultat i paaftësisë së forcave politike parlamentare për kompromis për formimin e një legjislature dhe qeverie stabile pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të këtij viti”.

“GLPS dëshiron të rikujtojë se me mos trajtimin e aplikimit tani, votimi i radhës shtyhet për në maj të vitit të ardhshëm. Duke marrë parasysh kontekstin e luftës në përfundim e sipër në Ukrainë, nuk është larg mendsh që deri në maj të vitit të ardhshëm Rusia të riinstalohet si anëtar i KiE, gjë që praktikisht do ta pamundësonte anëtarësimin e vendit tonë në këtë organizatë. Prandaj GLPS shfrytëzon rastin që edhe njëherë të bëjë thirrje për përgjegjësi politike nga të gjithë forcat politike parlamentare dhe themelimin sa më të shpejtë të institucioneve të qëndrueshme, forta dhe stabile në mënyrë të ruhet interesi afatgjatë politik, ekonomik dhe financiar i vendit”, thuhet në reagim.

Të ngjashme