Profesor Hajdini: Ngërçi politik rrezikon zhvillimin ekonomik të Kosovës dhe besimin e investitorëve

Prishtinë | 25 Maj 2025 | 08:00 | Nga Diellza Gashi

Profesori universitar, Ilir Hajdini, vlerësoi se ngërçi politik aktual në Kosovë do të ketë ndikim të ndjeshëm në zhvillimin ekonomik të vendit.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Hajdini tha se sipas parashikimeve të FMN-së dhe BERZH-it, situata politike mund ta ulë ritmin e paraparë të rritjes ekonomike për vitin 2025.

“Kjo do të ketë një ndikim në zhvillimin ekonomik të Kosovës. Sipas Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Evropiane për Rindërtim, Kosova parashihej që të ketë një zhvillim ekonomik mbi katër për qind në vitin 2025. Mirëpo, ky ngërç politik si duket do të ndikojë në uljen e zhvillimit. Kjo rrezikon që të zymtësojë perceptimin e qytetarëve të Kosovës për të ardhmen e vendit”, tha ai.

Hajdini vë në dukje se kjo situatë mund të dëmtojë besimin e qytetarëve dhe të investitorëve, përfshirë diasporën dhe investitorët e huaj.

 “Nëse kemi pasur një sasi të investimeve të huaja në vlerë rreth 700 milionë euro në vitin e kaluar, ne mund të rrezikojmë që jo vetëm që investimet do të vazhdojnë të shkojnë në sektorët, të cilët nuk sjellin dhe nuk janë produktive në zhvillimin ekonomik, mirëpo do të humbasin në terma totalë të investimeve që do t’i përjetojmë në këtë vit, nëse ky ngërç ekonomik ekonomik vazhdon”, tha ai.

Hajdini paralajmëroi se Kosova rrezikon të humbasë miliona euro edhe në fonde dhe projekte të BE-së, përfshirë mbi 12 projekte të anuluara dhe 61 milionë euro të humbura në vitin 2025, që lidhen me infrastrukturën, bizneset e vogla, arsimin dhe teknologjinë.

“Projektet, të cilat ndërlidhen me zhvillimin e infrastrukturës, fondeve që do të jepeshin për firmat e madhësive të vogla dhe të mesme, për kulturë e zhvillim në edukim, teknologji, humbjet janë shumëdimensionale, nëse ky ngërç vazhdon”, tha për EO, Hajdini.

Të ngjashme