Asgjë e re: Kuvendi nuk konstituohet as në përpjekjen e 27-të

Prishtinë | 05 Qer 2025 | 14:19 | Nga Ekonomia Online

Dështoi edhe vazhdimi i 27-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.

Filloi njëjtë sikurse herët e kaluara: tentim i Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.

Kryesuesi e seancës konstituive Avni Dehari kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.

Nga 99 deputetë të pranishëm 50 votuan për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

Dehari ndërpreu seancën dhe bëri të ditur se do të vazhdojë më 7 maj, në orën 11.00.

Kryeziu: Synimi i opozitës është bllokada e jo zgjidhja

Deputetja e Vetëvendosjes, Arbëresha Kryeziu, tha se partitë opozitare nuk mund t’i tregojnë partisë fituese se kë të kandidojë për kryetar të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.

“Meqenëse ata po kanë preferenca se kë ta propozojmë ne për kryetare, edhe ne po i shprehim preferencat tona. Nait Hasani dhe Sala Jashari janë të pranueshëm nga PDK-ja, askush tjetër për kryetar të Kuvendit. Nga LDK-ja, në shenjë reciprociteti, nuk po e pranojmë asnjë deputet.
Opozita po bën shkelje me mosvotim për herë të 19-të, ndërsa Vetëvendosje është e gatshme të votojë. Kjo e drejtë na garantohet me Kushtetutë. Që nga fillimi i kësaj sage, synimi i opozitës nuk ka qenë zgjidhja, por bllokada. Opozita nuk e di as vetë çfarë dëshiron: nuk do as zgjedhje, as zhbllokim. Ndoshta vetëm ndonjë koalicion me ata që janë mësuar në të kaluarën”, tha Kryeziu.

Tahiri: Vetëvendosje po e përdor Albulena Haxhiun si barrikadë

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se Vetëvendosjes nuk i konvenojnë zgjedhjet e dyfishta, sepse është parti në rënie, kurdo që të mbahen ato, raporton Ekonomia Online.
Ai pas dështimit të vazhdimit të 27–të të seancës konstituive, kritikoi qasjen e Vetëvendosjes ndaj procesit.
“Vetëvendosje po e përdor Albulena Haxhiun si pengesë për zgjidhjen e situatës. Kanë vendosur si barrikadë pikërisht një grua, të cilën çdo ditë e më shumë po e dëmtojnë në aspektin e reputacionit. Është sjellje e papranueshme”, tha Tahiri.

Bajrami: Nuk ka nevojë për përsëritje të zgjedhjeve

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha se nuk është e nevojshme përsëritja e procesit zgjedhor, por se duhet të bëhet konstituimi i institucioneve, raporton Ekonomia Online.
Ajo u shpreh kundër bashkimit të dy palë zgjedhjeve, duke theksuar se kjo do të sillte vështirësi të mëdha logjistike.
“Ne po marrim përgjegjësi dhe kemi dalë me alternativa. Njihemi si subjekt që i respekton vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Do të duhej të bëhej konstituimi i institucioneve. Nuk kemi nevojë që ta përsërisim një proces zgjedhor. Bashkimi i dy palë zgjedhjeve do të shkaktonte probleme të mëdha, kemi pasur një fletëvotim, sa kohë i ka marrë Komisionit Zgjedhor. Ne po marrim përgjegjësi, për atë kemi dalë me alternativa. Ne njihemi që i respektojmë vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, tha Bajrami.

Kadrijaj: Vetëvendosje të ketë afat të përcaktuar për propozimin e kandidates

Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, tha se nuk pret ndonjë rezultat konkret nga vazhdimi i seancës konstituive, raporton Ekonomia Online.
“Presim të përsëritet i njëjti skenar. Seanca të mos zgjasë më shumë se gjysmë ore dhe të kthehemi në shtëpi. Nuk është i drejtë ky bllokim që po bën Kurti. Vetëvendosje të ketë afat të përcaktuar për propozimin e kandidates. Nuk duhet të lejohet një proces pa kufi kohor”, tha Kadrijaj.

Izmaku: Takimi Kurti – Limaj ende i mundshëm

Deputetja e Nismës Socialdemokrate, Xhevahire Izmaku, nuk e përjashtoi mundësinë e një takimi të ri mes Albin Kurtit dhe Fatmir Limajt, duke theksuar se komunikimi mes tyre nuk ka dështuar, raporton Ekonomia Online.
“Nuk e besoj që ka dështuar marrëveshja dhe pres që do të ketë një zgjidhje. A ka dështuar marrëveshja mes Limajt dhe Kurtit? Nuk e besoj që ka dështuar dhe pres që do të ketë një zgjidhje. Ne jemi deputetë dhe për atë jam këtu”, tha Izmaku.

Të ngjashme