Policia e Shtetit në Shqipëri ka realizuar një operacion të koduar “Kamuflimi”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza.
Me këtë rast janë identifikuar 4 persona, tre shtetas të Kosovës dhe një shtetas francez, që shitnin doza të lëndëve të ndryshme narkotike, në zonat e frekuentuara nga pushuesit në Shëngjin.
Policia bëri me dije se dy shtetas të Kosovës dhe një francez janë arrestuar në flagrancë, kurse i katërti, po ashtu shtetas kosovar, është vënë në kërkim.
Gjatë operacionit, policia tha se “janë sekuestruar doza kokaine dhe kanabisi, kanabis në trajtë çokollate, MDMA, ekstazi, kërpudha halucinogjene, 1 automjet dhe 3 celularë që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtari kriminale”.