Një aksident ka ndodhur sot rreth orës 14:15 në afërsi të varrezave të dëshmorëve në Kaçanik, ku një person ka humbur jetën pasi dyshohet se është rrokullisur me traktor.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili tha se viktima është gjetur në gjendje të rëndë shëndetësore dhe pa shenja jete nga ekipi mjekësor.
Sipas Policisë, traktori dyshohet se është rrokullisur disa metra nga rruga e fshatit Stagovë, duke përfunduar në rrugën magjistrale Kaçanik-Hani i Elezit. Hetimet për zbardhjen e rrethanave të aksidentit janë ende në zhvillim.
“Ju njoftojmë se më datë 11.06.2025, rreth orës 14:15, kemi pranuar informatën për një aksident të rëndë trafiku në afërsi të “Varrezave të Dëshmorëve” në Kaçanik. Menjëherë pas pranimit të informacionit, patrullat policore janë nisur në drejtim të vendit të ngjarjes dhe është kërkuar ndihma emergjente, pasi në vendin e aksidentit është gjetur një person i shtrirë në tokë dhe në gjendje të rëndë shëndetësore”, tha ai.