Aksioni “Qielli i thyer”- Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për krim të organizuar lidhur me shitblerje të narkotikëve

Prishtinë | 19 Qer 2025 | 15:33 | Nga Ekonomia Online

Gjyqtari i procedurës paraprake pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh ndaj A.R., i dyshuar për krim të organizuar lidhur me shitblerje të narkotikëve në aksionin e njohur si “Qielli i thyer”.

Një gjë e tillë është bërë e ditur për “Betimi për Drejtësi” nga udhëheqësja e zyrës për informim, Mirlinda Gashi.

Prokuroria Speciale ka njoftuar se A.R., është duke u hetuar edhe për “Shpëlarje të parave”.

“Ai është arrestuar nën dyshimet për veprat penale “Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal të organizuar” lidhur me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”. PSRK është duke e hetuar A.R edhe për veprën penale “Shpërlarja e parave” në lidhje me trafikimin e narkotikëve dhe pastrimit të parave”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.

Sipas Prokurorisë, A.R., dyshohet ndër të tjera se ka tentuar të bëjë tjetërsimin e pronave për të cilat ekziston dyshimi i bazuar se janë dobi pasurore e fituar me veprat penale me qëllimin të shmang procedurën e konfiskimit në të ardhmen.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar mbi përmbajtjen e dosjes së PSRK-së për operacionin anti-drogë “Qielli i thyer” të realizuar më 3 qershor 2025, ku janë arrestuar 22 persona nën dyshimin për trafikim me narkotikë.

Të ngjashme