Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) organizoi sot një konferencë për media me rastin e hapjes së Konferencës së 41-të Ndërkombëtare të Shoqatës Evropiane të Kartës Rinore (EYCA), një nga ngjarjet më të rëndësishme për të rinjtë në Evropë, raporton Ekonomia Online.
Kjo konferencë shënon një moment të veçantë për Kosovën, e cila vitin e kaluar u bë anëtare e kësaj organizate ndërkombëtare joqeveritare që vepron në 38 shtete të Evropës.
Sekretari i Përgjithshëm i MKRS-së, Bislim Bislimi, theksoi rëndësinë e kësaj ngjarjeje duke e cilësuar si më shumë se një takim vjetor.
“Konferenca e 41-të e Shoqatës Evropiane të Kartës Rinore është më shumë se një ngjarje vjetore e zakonshme. Kjo konferencë tashmë është shndërruar në një platformë unike për bashkëpunim, shkëmbim përvojash dhe ide të reja që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e të rinjve në gjithë Evropën. Organizimi i saj në Kosovë pas anëtarësimit tonë në dhjetor të vitit 2023 është një rast i mirë për të shfaqur potencialin e madh të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe organizatave vendore me EYCA-n dhe anëtarët e saj”, tha ai.
Bislimi shtoi se Karta Evropiane për të Rinj, e cila lëshohet në të gjitha vendet anëtare të EYCA-së për të rinjtë nën moshën 30 vjeç, ofron përfitime të shumta në fusha si transporti, kultura, arsimi, shërbimet sociale, mobiliteti dhe pjesëmarrja rinore. Ai theksoi se qëllimi i organizatës është të mbështesë dhe fuqizojë të rinjtë në zhvillimin e tyre personal dhe profesional, si dhe të promovojë përfshirjen sociale dhe pjesëmarrjen aktive në shoqëri.
Ndërkaq, drejtori i përgjithshëm i EYCA-së, Manel Sanchez, u shprehu kwnaqësi për praninë e tij në Kosovë dhe për mundësinë që kjo konferencë po i jep organizatës.
“Për ne, si Shoqata Evropiane e Gardës së Rinisë, është një kënaqësi të jemi këtu në Kosovë, në Prishtinë. Kjo konferencë është një ngjarje shumë e rëndësishme, sepse sjell së bashku të gjithë anëtarët evropianë dhe përfaqëson mbi një milion të rinj në Kosovë. Organizimi i saj është një sfidë, veçanërisht për të rinjtë, ndaj falënderoj Ministrinë për mbështetjen dhe bashkëpunimin”, tha ai.
Ai tha se fokusi i konferencës “Shaping What’s Next” është strategjia e ardhshme e organizatës dhe ndikimi konkret që Karta Evropiane për të Rinj mund të ketë në fusha si shëndeti mendor, punësimi, sipërmarrja dhe të drejtat sociale e njerëzore.
“Karta nuk është vetëm një zbritje, por një mjet për ndërtimin e një komuniteti të të rinjve me qasje në projekte me rëndësi sociale. Në kohët që po jetojmë, jo vetëm në Evropë por në gjithë botën, projekte si këto bëhen edhe më të rëndësishme,” tha Sanchez.

