Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku në Klan Kosova, foli lidhur me ndryshimin e Ligjit për Specialen.
Ai tha se ligji nuk ka asnjë efekt juridik.
“Të gjithë e kanë ditë se është mashtrim. E gjithë klasa politike e ka ditë që është mashtrim. Ligji nuk zhbën Gjykatën Speciale dhe nuk ka asnjë efekt juridik sepse do të rrëzohet nga Dhomat e veçanta të Gjykatës Kushtetuese dhe këtë e kemi thënë” – deklaroi Abdixhiku.
Ai theksoi se rruga e vetme ka qenë dykahore – Apeli dhe Diplomacia.
“Unë besoj që ligji dhe iniciativa për të ndryshuar mandatin e Gjykatava të veçanta i ka bërë dy efekte vetëm dy në fakt tri. Efekti i parë që i ka dhënë cdo argument Bashkimit Evropian që Kosova është shtet joserioz sa i përket qasjes në drejtësi. E dyta ka rënduar procesin për ata në apel sepse ajo mund të interpretohet si ndërhyrje në drejtësi dhe e treta i ka dhënë çdo argument Serbisë të thotë ‘ja shikone me çfarë kam punë’. Unë mendoj dhe ne kemi menduar me plot guxim, me plot bindje, pa frikë por që tani rezonoi në zhurmë dhe s’u dëgjua që rruga e vetme ka qenë dykahore – Apeli ku atakohen argumentet dhe gabimet e pretenduara dhe Diplomacia”, u shpreh ai.