Dështoi edhe vazhdimi i 37-të i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, raporton Ekonomia Online.
Sërish përpjekje e Lëvizjes Vetëvendosje për krijimin e një komisioni ad-hoc për votim të fshehtë.
Kryesuesi e seancës konstituive Avni Dehari kërkoi nga PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, Nisma dhe Lista Serbe që të bëjnë propozimet e kandidatëve të tyre për komision, por këto parti nuk pranuan dhe nuk morën pjesë në votim.
Nga 92 deputetë të pranishëm, 52 deputetë votuan për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Dehari ndërpreu seancën dhe bëri të ditur se vazhdimi i saj të jetë pasnesër , në orën 11:00.
Haxhiu: Opozita zvarrit qëllimshëm konstituimin e Kuvendit, po i zgjat mandatin e Qeverisë Kurti
Kandidatja për kryetare të Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, akuzoi opozitën për zvarritje të qëllimshme të konstituimit të Kuvendit, raporton Ekonomia Online.
“Me mungesën e vullnetit për të konstituar Kuvendin e Kosovës, opozita po e zgjat mandatin e qeverisë Kurti. Ne në mars kemi përmbyllur mandatin tonë dhe jemi qeveri në detyrë. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që të konstituohet Kuvendi që më pas të fillojnë afatet për zgjedhjen e qeverisë.
Opozita po e instrumentalizon pjesëmarrjen në seanca vetëm për të bojkotuar procesin e votimit, duke theksuar se kjo ka ndodhur tashmë 29 herë, që nga propozimi i kryesuesit për votimin e fshehtë”, tha Haxhiu.
Çitaku: I bëj thirrje Kurtit që të reflektojë, Kosova është shumë më e vlefshme sesa egoja e tij
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, pas dështimit të 37-të me radhë për konstituimin e Kuvendit, e quajti situatën tërësisht të papranueshme, raporton Ekonomia Online.
Ajo akuzoi Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin për kryeneçësi dhe papërgjegjësi.
“Në këtë pikë të bllokadës jemi si rezultat i kryeneçësisë dhe papërgjegjesisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe Albin Kurtit. Madje, i dëgjova disa deklarata qesharake se gjoja i kanë numrat për qeveri, por nuk i paskan numrat për kryeparlamentar.
Kjo nuk do koment është papërgjegjësi. I bëj thirrje që të reflektojë. Kosova është shumë më e madhe dhe më e vlefshme se egoja e tij”, tha Çitaku.
Abdixhiku i kundërpërgjigjet Kurtit për zgjatje mandati: Flet gjëra pa fije inteligjence
Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke komentuar deklaratën e kryeministrit në detyrë Albin Kurti, që opozita është duke ia zgjatur mandatin qeverisë, tha se ai flet gjëra pa fije inteligjence, raporton Ekonomia Online.
“Mos i dëgjoni të gjithë njerëzit që flasin gjëra pa fije inteligjence, ‘si po ja zgjasim mandatin Kurtit’. Është jolegjitim, pa mandat, e ka uzurpuar detyrën e kryeministrit dhe të deputetit. Nuk ka logjikë një gjë e tillë”, tha Abdixhiku.
Haradinaj: Situata në Kuvend, shqetësim real
Deputeti i AAK-së Ramush Haradinaj, pohoi se situata e krijuar në Kuvend është shqetësim real, raporton Ekonomia Online.
Ai deklaratën e bëri para vazhdimit të seancës konstituive.
“Është shqetësim real edhe të gjithë i kanë të drejtat e veta, mundësitë e veta, përgjegjësitë e veta. Unë mirëpres shoqërinë civile që na kujton detyrën tonë”, tha ai.
Limaj: Të arrihet një marrëveshje politike dhe të ndërtohen institucione stabile
Deputeti i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, bëri thirrje për arritjen sa më shpejt të një marrëveshjeje ndërmjet partive, raporton Ekonomia Online.
“Kosova ka hyrë në një fazë ku vendimet duhet të merren me seriozitet dhe jo të zvarriten përmes kalkulimeve politike dhe lojërave me fjalë. Na duhet përkushtimi që sa më shpejt të arrihet një marrëveshje politike.
Një marrëveshje politike, nga e cila do të burojnë institucionet stabile të Kuvendit dhe Qeverisë”, tha Limaj.