Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, u ka bërë thirrje shqiptarëve të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare, të cilat mbahen nesër, duke theksuar rëndësinë e përfaqësimit politik të shqiptarëve të Luginës.
Në një postim në Facebook, Haxhiu ka përmendur vendimin e partive shqiptare për të garuar me një listë të përbashkët, “Koalicioni Shqiptar”, me numrin 17.
Ajo ka theksuar se Kosova i përcjell me vëmendje zhvillimet në Luginë dhe se mbrojtja e të drejtave të shqiptarëve atje mbetet e rëndësishme.
“Partitë shqiptare atje tashmë e kanë bërë punën e tyre, duke vendosur të garojnë bashkë, me një listë të vetme, ‘Koalicioni Shqiptar’. Tani është radha e qytetarëve në Luginë ta mbështesin fuqishëm këtë bashkim”, ka shkruar Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit ka inkurajuar edhe shqiptarët që jetojnë e punojnë në Kosovë, por që kanë të drejtë vote, të udhëtojnë drejt Luginës për të marrë pjesë në zgjedhje.
“Prandaj, i ftoj të gjithë shqiptarët e Luginës që nesër të dalin e ta ushtrojnë të drejtën e tyre të votës. Edhe ata që jetojnë e punojnë në Kosovë dhe kanë të drejtë vote, i inkurajoj të udhëtojnë për atje e të marrin pjesë në këto zgjedhje”, ka deklaruar ajo.
Në fund të postimit, Haxhiu ka theksuar rëndësinë e votës për përfaqësimin e shqiptarëve në parlament.
“Nesër, zëri i Luginës dëgjohet përmes fletëvotimit, me votën për numrin 17, ‘Koalicionin Shqiptar’”, ka shkruar ajo, duke e përmbyllur mesazhin me fjalët: “Luginë, Kosova është me ty!”