Lidhja Demokratike e Kosovës dorëzoi të premten lëndën e saj në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në lidhje me zhvillimet e fundit institucionale që, sipas këtij subjekti politik, përbëjnë shkelje të rendit kushtetues dhe parimeve demokratike, raporton Ekonomia Online.
Lidhur me këtë lëndë, është deklaruar deputeti i LDK-së, Shkëmb Manaj, i cili ka kërkuar që “të mos shkelet më rendi i ditës nga kryesuesi i seancës Avni Dehari”.
Sipas tij, edhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, ka pasur shkelje kushtetuese në seancë.
“Nuk ka që vullneti politik ta ndryshojë rendin e ditës. Kërkojmë nga Gjykata Kushtetuese që këtë rast ta trajtojë sa më shpejt në mënyrë që të kthehet normaliteti në vend dhe të formohen institucionet. Në këtë mënyrë, i jepet mundësia çdo deputeti që të votojë për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit”.
“Gjykata e ka përcaktuar që rendi i ditës duhet të respektohet dhe të gjitha praktikat si më herët”.
“Kushtetuta është shkelur edhe pas aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese dhe njëra ndër pikat e lëndës ka qenë që të mos shkelet më rendi i ditës nga kryesuesi i seancës Avni Dehari”, ka thënë Manaj, raporton EO.

