Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një intervistë për Ekonomia Online, tha se kërcënimi me bombë në Kuvendin e Kosovës përbën një vepër penale me motive të qarta nacionaliste dhe me prapavijë nga struktura serbe e të ndërlidhura me elementë rusë.
Ai shtoi se kërcënime të tilla mund të përsëriten në të ardhmen, në varësi të zhvillimeve politike në Serbi.
“Tani më kemi një element faktik, pra elementin e kryerjes së veprës penale nga ana e personit të apostrofuar, i cili është pronar i SIM-kartelës, pronë e MTS-së, pra ku serbi dhe personi në fjalë ka një element dhe ka mbrapa një motiv nacionalizmi serb për të krijuar situata të tilla të kërcënimeve për bombë në Kuvend të Kosovës”, tha Shala.
Sipas tij, Policia e Kosovës ka vepruar sipas procedurave standarde operative dhe ka neutralizuar në kohë çdo rrezik të mundshëm. Por paralajmëroi se situata të ngjashme mund të ndodhin sërish, nëse tensionet politike në Serbi vazhdojnë të rriten.
“Policia e Kosovës në ditën kritike ka zbatuar procedura standarde operative, deri te neutralizimi i lëvizjes së mundshme reale dhe fakti. Kërcënime të tilla mund të presim edhe në vazhdim, varësisht nga intensiteti i zhvillimeve që janë duke u karakterizuar në Beograd”, tha Shala.
Ai shtoi se pas këtij veprimi qëndron një strategji e organizuar nga shërbimet sekrete serbe të përfshira me ndikim rus, që synon tensionim dhe destabilizim të institucioneve të Kosovës.
“Sepse kjo ka të bëjë me një strategji të mirëfilltë të përgatitur nga ana e shërbimeve të elementit rus në kuadër të shërbimit serb, ku po tentohet që shpërqendrimi i aktiviteteve subversive që është duke ndodhur mes shërbimeve perëndimore në Beograd, të krijohet një dalje e një krize të Serbisë brenda territorit të Kosovës, të nxitet një tension kulturor-politiko-social, sepse ka të bëjë me elemente eksplicite të shërbimeve që janë duke mbështetur këtë narrativë të një operacioni psikologjik të shërbimeve serbe në drejtim të institucioneve të Kosovës”, tha ai.
Shala tha gjithashtu se siguria brenda Kuvendit është në kontroll të plotë të Policisë, ndërsa mundësia e futjes së ndonjë eksplozivi në ambientet e brendshme është minimale.
“Hapësira brenda Kuvendit të Kosovës është hapësirë e kontrolluar nga Policia dhe mundësi që të futet çfarëdo eksplozivi brenda hapësirës së brendshme është minimale apo e pamundur. Në hapësirat përreth mund të ndodhë gjuajtja nga një distancë në drejtim të objektit, por që Policia e Kosovës, institucionet e sigurisë kanë ndërmarrë veprimet e saj duke krijuar perimetrin e sigurisë brenda dhe jashtë”, tha për EO, Shala.
