Çfarë u diskutua në Konferencën e Bitcoinit në Pragë?

Prishtinë | 31 Kor 2025 | 12:27 | Nga Arsim Ajeti

Javë më parë, në Republikën Çeke u mbajt konferenca më e madhe evropiane e dedikuar bitcoin-it.
Praga, edhe këtë vit, ishte destinacioni kryesor për shumë sipërmarrës dhe novatorë nga Evropa dhe më gjerë.

Me pjesëmarrjen e Michael Saylor-it, njeriut i cili menaxhon mbi 600 mijë bitcoin, kjo konferencë ishte një mundësi e rrallë për ta takuar investitorin më të madh në botë dhe për të dëgjuar rrugëtimin e tij drejt bitcoin-it.

Në një ambient mbresëlënës me mbi 10 mijë pjesëmarrës, Praga edhe një herë dëshmoi pse konsiderohet si destinacioni kryesor i kriptovalutave në Evropë.

Shtojmë këtu qindra prezantime të kompanive me renome botërore, si dhe shumë startup-e që shërbenin si shembuj konkretë të një plani biznesi të mbështetur në bitcoin. Temat e ndryshme ishin të fokusuara rreth këtij aseti të ri në treg.

Kësisoj, kjo konferencë ishte një ngjarje që nuk duhej humbur.

Gjatë diskutimeve të shumta tre-ditore, tema më e përfolur ishte ajo mbi tendencat diversifikuese të shumë bizneseve dhe institucioneve financiare, pas fitores së Donald Trump, e cila ndikoi në rritjen e vlerës së bitcoin-it.

Ndërkohë, prezantimet dhe bashkëbisedimet me brende si Trezor, Robinhood, MicroStrategy, Binance etj., që ofrojnë shërbime për mirëmbajtjen, tregtimin dhe sigurimin e bitcoin-it, ishin një vlerë e shtuar për pjesëmarrësit.

Shkëmbimet e përvojave midis investitorëve dhe novatorëve mbi çështje të lidhura me menaxhimin e biznesit përmes tregtimit me bitcoin dominuan interesimin këtë vit.

Për ta përmbledhur, mund të thuhet se pjesëmarrësit në konferencën e Pragës u pajisën me një pako të plotë “edukativo-investuese”, në një ambient të përsosur për zgjerimin e rrjetit profesional – apo “networking”, siç njihet ndryshe.

Pa dyshim, figura kryesore e këtij eventi ishte Michael Saylor, i njohur si “maksimalisti më i madh në botë” për sa i përket bitcoin-it. Ai është CEO i kompanisë MicroStrategy.

Z. Saylor mbajti një prezantim të jashtëzakonshëm mbi të ardhmen dhe rolin e bitcoin-it, duke u përqendruar në vlerën dhe përdorshmërinë e tij nga investitorët me renome dhe institucionet e mëdha financiare.

Prezantimi i tij u fokusua në ndryshimet gjeopolitike dhe rregullative, duke theksuar zhvillimet “të jashtëzakonshme” gjatë vitit të kaluar dhe rolin e Shtëpisë së Bardhë në propozimet për një rezervë strategjike të bitcoin-it.

Saylor theksoi gjithashtu se projektligjet e miratuara në SHBA po ndikojnë çdo ditë e më shumë në vlerën e bitcoin-it. Këto përfshijnë:

Projektligji “Gjeniu”,

Projektligji për asetet digjitale, dhe

Projektligji për miratimin e bitcoin-it në nivel shtetëror.

Të gjitha këto janë indikatorë pozitivë për bitcoin-in, i cili tashmë po konsiderohet një aset financiar i pranuar, njësoj si ari – dhe jo rastësisht po shohim rritje të jashtëzakonshme të vlerës së tij.

Në fund, Saylor ndau përvojën e tij se si ai e integroi bitcoin-in në thesarin e korporatës MicroStrategy. Ai shpjegoi me detaje se si kompania ndryshoi qasjen ndaj bitcoin-it, duke arritur sot të zotërojë mbi 600 mijë njësi. Kjo lëvizje ndryshoi rrënjësisht fatin e kompanisë – nga një biznes afër falimentimit në një fuqi globale.

Prandaj, bitcoin jo vetëm që po konsiderohet një aset me vlerë, por ai mbetet epiqendra globale e inovacionit teknologjik dhe financiar – zhvillim që lidhet ngushtë me ndryshimet në sferën gjeopolitike dhe financiare, disa prej të cilave i përmendëm më sipër.

Të ngjashme