Haxhiu: Kur ua kërkuam shkarkimin e Llabanit na thanë se po ndërhyjmë në pavarësinë e tyre

Prishtinë | 06 Gus 2025 | 17:38 | Nga Ekonomia Online

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se në kohën kur ishte dekretuar gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban, nga ish presidenti Hashim Thaçi, Lëvizja Vetëvendosje kishte kërkuar që të shkarkohet. Kjo sipas saj, për shkak të së kaluarës së tij kriminale.

Por sipas saj, në përgjigje  zyrtare ndaj kësaj kërkese u ishte thënë se janë duke bërë ndërhyrje në pavarësinë e tyre.

“Kur në vitin 2018, ish-Presidenti Thaçi kishte injoruar thirrjet tona për të mos e dekretuar Radomir Llabanin si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese, për shkak të së kaluarës së tij kriminale dhe duke pasur parasysh që gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese shkarkohen nga Presidenti por paraprakisht me propozimin e 2/3 të gjyqtarëve të kësaj gjykate dhe jo nga ndonjë organ tjetër, ne i kishim drejtuar një kërkesë zyrtare ish-kryetares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizi, duke kërkuar fillimin e procedurave për shkarkimin e tij. Megjithatë, në vend që të merrej parasysh kjo kërkesë, ne kishim pranuar një përgjigje zyrtare në të cilën thuhej se kërkesa jonë përbënte ‘ndërhyrje në pavarësinë e tyre’”, ka shkruar Haxhiu.

Të ngjashme