Në opinionin e para një jave (publikuar nga “Panorama”), trajtova disa pikëpyetjeve me peshë gjeopolitike si: A ndodhemi në prag të Luftës së Tretë Botërore? Kush mund të jenë pasojat fatale dhe ç’farë peshe mbart Inteligjenca Artificiale, robotët, dronët dhe fuqia kibernetike? A do të ketë fitues, apo vetëm të humbur në një luftë e tillë etj.! Ndërsa në këtë opinionin (si vijim …) do t’ju jap përgjigje, pse: “vetëm/falë superfuqisë së USA-Trump nuk do të ketë Luftë të Tretë Botërore”, si dhe pesë rekomandime gjeopolitike për superfuqizim, mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave mbarëkombëtare.
Pikë së pari, përtej natyrës së kërcënimeve, fuqisë vdekjeprurëse dhe peshës përcaktuese që mbartin në fatin e luftës së ardhshme Inteligjenca Artificiale, raketat, robotët, dronët, gara e frikshme për armatime të gjeneratës së fundit, si dhe ulërimat/propaganda bolshevike, më duhet të konfirmoj se në vlerësimin tim përmbledhës: “duke konsideruar sulmin shembullor që fuqia shkatërrimtare e SHBA (6 avion B-2 me kosto 2 bilionë dollarë; 37 orë fluturim; 12 bomba GBU-57 (14 tonë secila); 10-ra raketa Tomahaëk dhe mbi 125 avionë F-35) realizuan operacionin ‘më të suksesshëm të historisë së njerëzimit’ ndaj bazave bërthamore të Ajatallahut të Iranit, i cili gjatë 34 viteve kërcënonte me shfarosje nga faqja e dheut të Kombeve, kulturave dhe Shteteve sovrane”! Thënë këtë, më duhet ta nënvizoj se asnjë shtet tjetër (përfshi Kinën dhe Rusinë) dhe as koalicion shtetesh (BRICS) nuk zotëron kapacitete për të realizuar operacione të ngjashme ose të përafërta, qoftë sulmi apo mbrojtjeje (në dy raste mbi 98% e raketave të Iranit dhe dronëve u asgjësuan në ajër! Padyshim, ky sulm ishte edhe mesazh i fuqisë vdekjeprurëse të USA ndaj diktatorëve gjakatarë si dhe të shkalluarve nga fuqia e të gjithë-Pushtetit (Putinit, Kim Jong, etj.). Në shtesë, përsëris se mbetem besimplotë se: “Vetëm falë superfuqisë ushtarake të pathyeshme, të pakonkurrueshme dhe vdekjeprurëse të USA si dhe leadershipit të fortë të Trump, bota nuk do të rrokulliset në fatalitetin e Luftës së 3 të Botërore”. Pra, falë fuqisë së SHBA-Trump, jo lufta, por paqja, rendi global i sigurisë, vlerat e qytetërimit dhe demokracia funksionale do të triumfojnë mbi neo-nazistët, neo-stalinistët, neo-Millosheviçët si dhe ndaj shteteve dhe organizatave terroriste”!.
Së dyti: “Çfarë mund/duhet të bëjnë vendet e vogla si RSH, Kosova, etj., në rast të një lufte botërore”? Për më konkretisht në vijim gjeni edhe pesë rekomandime strategjike:
- Historia na tregon se luftërat nisin nga veprimet, mosveprimet dhe oshilacionet e diktatorëve gjakatarë, autokratëve të gjithëpushtetshëm, si dhe shpërfillja e mësimeve nga luftërat e mëparshme. Në ditët e sotme, teknologjia (IA) e bën luftën më të paparashikuar, më të pamëshirshme dhe më shkatërrimtare, ose mund të jetë “edhe e fundit për njerëzimin”.
- Asnjë vend nuk i mbijeton dot i vetëm një lufte botërore, por “sidomos shtetet e vogla nuk e kanë luksin të bëjnë gabime strategjike”, thoshte Kissinger. Kështu, as nuk duhet ta mendojmë rikthimin te marrëzia e “mbrojtjes me forcat e veta” që për 45 vjet e poshtëroi kombin si dhe i rraskapiti shqiptarët! Në rast të një përballje fatale, na duhet të forcojmë edhe më tej bashkëpunimin strategjik me SHBA dhe NATO-n. Pra, për mbijetesën, mbrojtjen dhe zhvillimin e interesave kombëtare na duhet: “aleanca të forta, kontribute modeste (por të spikatura) si dhe diplomaci aktive”.
- Duke duartrokitur “marrëveshjen mes Kroacisë, Kosovës dhe RSH në fushën e mbrojtjes”, do t’i këshilloja vëllazërisht aktorët politikë dhe faktorët Shtetërorë në Tiranë dhe Prishtinë: “të përulen në gjunjë para historisë së përgjakshme dhe përgjegjësive shtetërore”, për t’i dhënë jetë platformës: “2-Shtete Sovrane, 1-Komb i Vetëm”, duke e konfirmuar në Uashington, Bruksel etj., që “edhe pse e vonuar” nuk kërcënon asnjë vend (përfshi Serbinë), por do të kontribuojë si një balancë racionale për paqen afatgjatë si dhe integrimin euroatlantik të Ballkanit Perëndimor.
- Rritja e shpenzimeve për mbrojtjen nga 2% në 5% deri në 2030 nuk është kurrsesi “për ta marrë me të mirë Presidentin Trump”, por domosdoshmëri kritike për të transformuar sistemin e sigurisë dhe mbrojtjes së RSH, në përputhje me konceptin e ri të mbrojtjes kolektive, duke përditësuar dhe modernizuar aftësitë operacionale të FARSh-së për përmbushjen e misionit kushtetues: “mbrojtjen e integritetit territorial (neni 5); zhvillimin e interesave kombëtare, promovimin e vlerave euroatlantike si dhe përmbushjen e detyrimeve në NATO”!
- Si garanci në dështimin me sukses të reformave të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, janë: “pluralizmi fasadë, përdhosja e zgjedhjeve dhe poshtërimi i Kuvendit të Gazëve dhe zengjinëve; dalldisjet bolshevike nga superfitorja e gjithëpushtetit si dhe mjerimi i opozitës nga humbja e (4-ërt) radhas”. Në të kundërt, mbetet kritik rikthimi i demokracisë funksionale, balancave kushtetuese, dashurisë për atdheun, përkushtimi dhe përgjegjshmëria ndaj interesave kombëtare, si dhe “besimi dhe mirënjohja” ndaj partneritetit strategjik me SHBA, NATO.