Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se “Gjykata Kushtetuese ia ka grabitur kompetencat Kuvendit”, raporton Ekonomia Online.
Sipas saj, Kushtetuta nuk mund të interperohet sipas “momentumeve politike”.
“Cili do të jetë veprimi ynë, do ta kuptoni kur të vijë koha”, ka thënë ajo.
“Natyrisht që Kushtetuta duhet të respektohet, por ndonjëherë edhe duhet të kundërshtohet. Çfarë kuptimi ka Kuvendi, nëse është Gjykata ajo që u tregon deputetëve çfarë duhet të votojnë?”
Ajo ka thënë se Kushtetuesja mund të bëjë vlerësime vetëm për Presidentin e vendit dhe të trajtojë aktet e Kuvendit të Republikës së Kosovës, por jo raste të veçanta që lidhen me një individ, si në këtë rast kryesuesin e seancës konstituive.
Haxhiu ka theksuar se vendimi i fundit i Gjykatës, që procesi i përzgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të bëhet me votim të hapur dhe që një kandidat mund të votohet vetëm tre herë, bie ndesh me udhëzimin e saj të parafundit, ku ishte thënë se Kushtetuta nuk përcakton nëse votimi për kryetar të Kuvendit duhet të jetë i hapur apo i fshehtë, duke ia lënë këtë vendim vullnetit të deputetëve.
“Pyetja është: prej nga e merr këtë të drejtë Gjykata Kushtetuese? Vetëm deputetët kanë kompetencën të vendosin nëse votimi do të jetë i hapur apo i fshehtë. Kushtetuta nuk e parasheh këtë. Në këtë rast, Gjykata ia ka grabitur kompetencat kushtetuese Kuvendit të Kosovës”, deklaroi ajo.
