Më 23 gusht shënohen 18 vjet nga ndarja nga jeta e Faruk Begollit, një prej emrave më të shquar të teatrit dhe kinematografisë kosovare. Aktor, profesor dhe kontribuues i madh në kulturën shqiptare, Begolli ka lënë gjurmë të pashlyeshme në artin skenik dhe filmin shqiptar.
Ai diplomoi në Akademinë e Filmit dhe Teatrit në Beograd më 1966 dhe ishte bashkëthemelues i degës së Aktrimit në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës, si dhe i Teatrit “Dodona”. Gjatë karrierës së tij, ai luajti në mbi 60 filma të rëndësishëm jugosllavë dhe shqiptarë, përfshirë “Dervishi dhe vdekja”, “Kur pranvera vonohet”, “Era dhe Lisi” dhe “Proka”.
Begolli u nda nga jeta më 23 gusht 2007, por vepra dhe kontributi i tij vazhdojnë të jetojnë në kujtesën kolektive dhe skenën artistike shqiptare.