Prokuroria e Pejës ngre aktakuzë ndaj KEDS-it dhe tre zyrtarëve për vdekjen punëtorit nga energjia elektrike

Prishtinë | 03 Sht 2025 | 15:16 | Nga Ekonomia Online

Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj Kompanisë Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS) dhe tre punonjësve të saj, lidhur me rastin tragjik të vdekjes së një punëtori gjatë kryerjes së detyrës në rrjetin elektrik në shkurt të vitit 2023.

Sipas njoftimit zyrtar të Prokurorisë, aktakuza është ngritur për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Ngjarja ka ndodhur më 4 shkurt 2023, në fshatin Levoshë të komunës së Pejës, ku punëtori V.P., pjesë e ekipit të mirëmbajtjes së rrjetit elektrik, ka humbur jetën si pasojë e kontaktit me energjinë elektrike gjatë punës në rrjetin “Dalja 10 KV – Maja e Zezë”.

Prokuroria pretendon se KEDS, si person juridik, dhe të pandehurit A.Z., G.N. dhe A.N., në pozita të ndryshme menaxheriale dhe të sigurisë në punë, kanë vepruar me pakujdesi dhe në kundërshtim me obligimet ligjore për sigurinë në vendin e punës, duke mos zbatuar masat mbrojtëse dhe protokollet e sigurisë.

Sipas aktakuzës:

KEDS, në cilësinë e përgjegjësit juridik, nuk ka ofruar kushte të sigurta pune, nuk ka organizuar siç duhet procesin e kyçjes në rrjet dhe nuk ka bërë vlerësim të riskut.

A.Z., si udhëheqës për sigurinë në punë, dyshohet se ka kërkuar lëshimin e rrymës pa u siguruar nëse viktima ishte ende në kontakt me rrjetin.

A.N. dhe G.N., në cilësinë e koordinatorit të rrjetit dhe ekspertit të sigurisë, akuzohen se nuk kanë ndërmarrë masat parandaluese, duke rrezikuar jetën e punëtorëve.

Në përfundim të aktakuzës, Prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale që u vihet në barrë.

Të ngjashme