Presidentja Vjosa Osmani, e pyetur nëse ka përafrim me kryeministrin Albin Kurti dhe se a do të rikandidojë për presidente, tha se do të vendos në ditë e ardhshme për rikandidimin e saj, rapoton Ekonomia Online.
“A do të rikandidoj? Do të vendos në kohën e duhur. Sapo po marr një pushim, po shfaqen gazetarë që më sulmojnë dhe përpiqen të më bindin që të mos ndalem dhe të vazhdoj”, u shpreh Osmani gjatë një konference për media.
Ajo ka potencuar se asnjëherë nuk ka pasur mosmarrëveshje me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti, për sa i përket mbrojtjes së vendit nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiçi.
“Jo vetëm këto pesë vite që unë jam presidente dhe zotëri Kurti kryeministër. Por, për aq sa njihemi, kurrë nuk kemi pasur dallim, edhe më të vogël, për faktin se Kosova duhet të mbrohet nga Vuçiçi, nga Serbia dhe nga shërbëtoret e tyre në Kosovë. Kurrë kjo çështje nuk na ka ndarë, gjithmonë kemi qenë në të njëjtën linjë”, tha Osmani.
Ndërkaq, ajo theksoi se shumë tema i ka ngritur vetë, edhe para se Lëvizja Vetëvendosje të hynte në Kuvend.
“Ju keni dëshirë të thoni ‘Vjosa në një linjë me Kurtin’, por më mirë do të ishte të thoni edhe ‘Kurti në një linjë me Vjosën’, veçanërisht ju si gra që inkurajoni. Për shumë tema, unë e kam ngritur zërin edhe para se Lëvizja Vetëvendosje të hynte në Parlament”.


