Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë të enjten kundër Hysri Selimit , të cilin e akuzon se kishte spiunuar për Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë, e njohur si BIA, për më shumë se 15 vjet.
Hysri Selimi ishte arrestuar në maj të këtij viti, dhe ka qenë i dënuar në Kosovë për pjesëmarrje në organizata terroriste.
Sipas aktakuzës, ai kishte bashkëpunuar me BIA-n serbe “nga nëntori i vitit 2009, e deri në momentin e arrestimit më 6 maj 2025”.
Ai gjithashtu kishte “udhëtuar në Siri, duke ju bashkuar organizatës terroriste ISIS” në fund të vitit 2015, sipas prokurorëve.
Ai akuzohet se u kishte dërguar të dhëna zyrtarëve të BIA-së në lidhje me numrin e pjesëmarrjes së shqiptarëve në Shtetin Islamik (IS), organizimin e tyre dhe në cilat pjesë të Sirisë operonin ata.
“Ndërsa, pas kthimit në Kosovë, dhe vuajtjes së burgut për pjesëmarrje në organizata terroriste, i njëjti kishte vazhduar të takohej në Serbi me zyrtarët e BIA-së, më konkretisht me Drejtorin për Luftimin e Terrorizmit I.B., dhe të përcjell të dhëna tjera të rëndësishme”, thuhet në aktakuzë.
Ai kishte paguar nga BIA serbe deri në 700 euro në muaj për bartjen e të dhënave, sipas prokurorëve.
Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.