Cakolli: Konferenca e presidentes – skandaloze, po krijohet terren për dhunë

Prishtinë | 11 Sht 2025 | 14:42 | Nga Ekonomia Online

Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovws e ka konsideruar “skandaloze” konferencën për media të presidentes Vjosa Osmani të enjten, në të cilën ajo akuzoi gazetarët për lidhje me Millan Radoiçiqin, kryeterroristin e Banjskës.

Cakolli e kritikoi Osmanin për përdorimin e një gjuhe të papërgjegjshme ndaj gazetarëve, e cila krijon terren për dhunë.

Në këtë kontekst, ai tërhoqi një paralele me klimën shumë të polarizuar të shoqërisë amerikane, ku të mërkurën u vra në një atentat një figurë publike, aktivisti konservator, Charlie Kirk. Tha se e njëjta klimë po krijohet edhe në Kosovë.

“Në Amerikë, dje u vra një figurë publike si pasojë e një klime politike ku urrejtja, përçarja dhe demonizimi i kritikëve apo kundërshtarëve janë normalitet. Ky është rezultati kur kushdo që mendon ndryshe linçohet si armik, e kur etiketa e “tradhtarit” bëhet pjesë e përditshmërisë politike. Një ditë, dikush – qoftë edhe mentalisht i paqëndrueshëm – i merr seriozisht akuzat dhe kalon nga fjala në dhunë”, tha Cakolli.

“Kosova nuk ka arritur ende në pikën e dhunës fatale sikur SHBA-të. Por është e pamohueshme se po shkojmë në një drejtim të gabuar, sepse po ndërtojmë një mjedis politik të bazuar në të njëjtën logjikë. Dhe kësaj logjike i kontribuoi sot, hiç më pak se vetë Presidentja e vendit, e cila në një konferencë skandaloze me gjuhë krejt të papërgjegjshme akuzoi gazetarët se kanë lidhje me Milan Radoiçiqin dhe plane për grusht-shtet”, u shpreh Cakolli në një shkrim në rrjetet sociale.

Ai tha se nëse nuk ka prova dhe nëse institucionet nuk veprojnë, kjo “nuk është mbrojtje e shtetit e as luftë kundër krimit – por është sulm i drejtpërdrejtë ndaj zërave kritikë dhe vetë themeleve të demokracisë”.

Sipas Cakollit, nëse duam një vend demokratik atëherë duhet ta thyejmë logjikën binare të “patriotëve” kundër “tradhtarëve”.

“Sepse patriotizëm nuk është të demonizosh kundërshtarin, e aq më pak kritikun. Patriotizëm është të pranosh kritikën, ta përballesh me argumente (nëse ke) dhe të tentosh ta zbutësh diskursin e acaruar”, tha ai.

Të ngjashme