Analistja politike Magbule Shkodra, duke komentuar deklaratën e presidentes Vjosa Osmani se gjatë hetimeve ka pasur bashkëpunëtorë të Radoiçiqit, duke aluduar në gazetarë, tha se një akuzë e tillë është shumë e rëndë.
Ajo në intervistë për Ekonomia Online tha se presidentja duhet që të qartësojë publikisht se për kë bëhet fjalë ose të informojë institucionet kompetente.
“Ajo bëri një koment se tha ka gazetarë të cilët kanë bashkëpunuar, kanë dashur që të bëjnë grushtshtet, me Radoiçiçin, kështu diçka po e parafrazoj. Unë e ftoj presidenten që ta bëjë publik emrin. Nuk është në rregull që të bëjë këso lloj komentesh dhe në njëfarë mënyre të mundohet t’iu gjuajë fajin të gjithë gazetarëve. Ne kemi gazetarë të mirë, pa dyshim që mund të ketë ndoshta ndonjë gazetar që nuk është profesionist, por kjo akuzë është shumë e rëndë. Ajo duhet ta bëjë publike për kënd e ka fjalën ose t’i informojë institucionet relevante, siç është prokuroria, të ngrihen aktakuza, të ofrojë fakte e jo të bëjë këso lloj deklaratash, të cilat krijojnë shqetësim në gjithë shoqërinë, por njëkohësisht edhe shqetësim edhe për vetë gazetarët, të cilët po mundohen ta kryejën punën më së miri”, tha ajo.
Sipas Shkodrës, deklarata e presidentes mund të prodhojë pasoja të rrezikshme ndaj gazetarëve.
“Është shumë e rrezikshme sepse tani me këtë deklarim të saj dhe megjithatë ajo e ka një vlerësim më të mirë në Kosovë. Qytetarët ndoshta edhe i besojnë dhe tani fillon të krijohet një lloj armiqësie për të gjithë gazetarët. Kjo nuk është korrekte. Dua të them që ajo duhet sa më shpejt të qartësojë se çfarë ka menduar me këtë deklarë në mënyrë që të mos krijojë një armiqësi të qytetarëve ndaj gazetarëve”, tha ajo.
Duke përmendur edhe incidentin e djeshëm me arrestimin e një kameramani, Shkodra tha se ai ka qenë duke kryer punën e tij dhe se publiku ka të drejtë të informohet.
“Me atë incidentin që u arrestua një kameraman e pastaj u lirua, ai ka shkuar të xhirojë se në cilën shkollë shkojnë vajzat e presidentes që është gjë normale. Ai nuk kishte pasur qëllimin t’i xhirojë fytyrat e vajzave, sepse kuptohet se ato janë të mitura dhe një gjë e tillë nuk lejohet. Mirëpo, publiku ka të drejtë të dijë se ku shkollohen fëmijët e politikanëve, posaçërisht në këtë rast kur e kemi fjalën për presidenten, për kryeministrin, i cili nuk e ka vajzën fare në Kosovë dhe gjithë politikanët e tjerë. Ka ndodhur edhe në të kaluarën”, tha ajo.
Presidentja Osmani në konferencë e sotem për media ka folur për disa gazetarë, duke i quajtur “Radoiçiqa”. Ajo ka thënë se nuk përmend emra, por se dihet kush janë pasi “e kanë mizën pas veshit”.
“Nuk janë hetuar gazetarët, janë hetuar Radoiçiqat. Janë hetuar planet për grushtshtet. Nuk mund t’i themi emrat për shkak të pengimit të hetimeve. Përgjatë rrugës së hetimeve, ka gjithçka aty që kanë bashkëpunuar me ta. Është vlerësim i institucioneve që të mos i tregojnë emrat për shkak të mos pengohen hetimet”, tha Osmani.
