Qeveria: I mirëpresim kritikat nga SHBA-ja, kur janë konkrete i korrigjojmë veprimet

Prishtinë | 12 Sht 2025 | 15:06 | Nga Ekonomia Online

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, duke theksuar se marrëdhëniet me SHBA-në mbeten të qëndrueshme dhe se Kosova është partneri më serioz i saj për stabilitet dhe paqe në rajon.

Në një shkrim të gjatë në Facebook, Kryeziu ka thënë se qeveria ka përmbushur mandatin e plotë për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, duke kontribuar në stabilitet institucional dhe zhvillim socio-ekonomik, përkundër sfidave globale si pandemia, kriza energjetike dhe lufta në Ukrainë. Ai shtoi se veprimet e ekzekutivit kanë qenë gjithmonë të ligjshme dhe kushtetuese, duke synuar eliminimin e vatrave të destabilitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit, veçanërisht në veri.

Kryeziu theksoi se Kosova ka depolitizuar integrimin e komunitetit serb, duke i mbrojtur qytetarët nga strukturat ilegale të Serbisë dhe duke ofruar masa konkrete si punësimi dhe verifikimi i diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut.

Sa i përket kritikave ndaj Gjykatës Kushtetuese, ai ka thënë se qëndrimi i kryeministrit në detyrë Albin Kurti ka qenë i qartë, duke e akuzuar Gjykatën për vonesa në vendimmarrje dhe për cenimin e karakterit demokratik të Republikës.

Të ngjashme