Miftaraj-Ramës: Nje shtet qe aspiron me qenë pjesë e BE-së, nuk e duron nje kryeminister që shan e mallkon sistemin gjyqësor

Prishtinë | 15 Sht 2025 | 16:22 | Nga Ekonomia Online

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Ehat Miftaraj ka reaguar pas deklarimeve të kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama i cili vuri sot në shënjestër një gjyqtar. Miftaraj ka thënë se një shtet që aspiron me qenë pjesë e Bashkimit Evropian (BE) në vitin 2029, nuk e duron një kryeministër që shan e mallkon sistemin gjyqësor.

“Edi Rama sot e paska poshteruar nje gjykates ne Shqiperi permes rrjeteve sociale. Nje shtet qe aspiron me qene pjese e BE ne vitin 2029, nuk e duron nje kryeminister qe shan e mallkon sistemin gjyqesor.   Ne Shqiperi ka mekanizma brenda sistemit gjyqesor qe trajtojne gabimet ose shkeljet e gjykatesve.  Kete drejte dhe kompetence se ka ekzekutivi.  Ne njeren ane sot Shqiperia hap kater kapituj te rinj per anetaresim ne BE e ne anen tjeter sulmon politikisht nje gjykates.  Nuk shkojne bashke keto dy gjera. Ne Ballkan politika nuk duron ndarjen e pushteteve, fatkeqësisht”, ka shkruar Miftaraj në “facebook”.

Ndërsa, kryeministri shqiptar Edi Rama, teksa fliste për gjyqtarin shfrytëzoi rastin që të dërgojë mesazh edhe tek të tjerë gjykatës.

“Por me këtë rast, dua t’u përcjell një mesazh të qartë edhe gjykatësve si ky Boshku, që pa parë fare dosjet, pa thirrur fare, hiç, shtetin si palë e dëmtuar, urdhërojnë kthimin në punë të të larguarve nga detyra për paudhësira, si puna ulëritëse e këtij ujkut me mëlçi në qafë të AMP-së së Vlorës; madje vendosin pa pikë turp si detyrime të shtetit, kaq e aq paga dëmshpërblim për tipa të tillë.  Mesazhi im është ky: Kush tallet me interesat e shtetit dhe përqesh ligjin, duke e përdorur pavarësinë e drejtësisë si pavarësi nga vetë drejtësia, e duke dhënë vendime haptazi të paligjshme në dëm të interesit publik, do të përballet me keqbërjen e vet jo vetëm në organet e lartpërmendura të vetëqeverisjes së gjyqësorit, po edhe në sytë e opinionit publik”, ka shkruar mes tjerash Rama.

Të ngjashme