Dëshminë e ish-zyrtarit amerikan James Rubin pro ishpresidentit Hashim Thaçi në Dhomat e Specilizuara të Kosovës në Hagë e ka vlerësuar lartë avokati Skender Musa.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online ka thënë se deklarata e Rubin është kredibile dhe ka hedhur poshtë aktakuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
“Ka sqaruar në mënyrë të qartë që zoti Thaçi nuk ka pasur autoritet dhe kompetenca ashtu siç pretendohet në aktakuzë, mbi komandantët e zonave të UÇK-së dhe për çdo marrëveshje ai ka qenë i obliguar që ta marrë pëlqimin e komandantëve të zonës. Këtë nuk e ka thënë asnjë dëshmitar nga Kosova, madje ka arritur të dëshmojë dhe ta bindë trupin gjykues, që zoti Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë në Hagë nuk kanë pasur kompetenca dhe nuk kanë qenë në pozitë hierarkike, persona që kanë mundur ta imponojnë vullnetin e asnjë komandanti, nuk kanë pasur njohuri se çka po zhvillohet në terren”, ka theksuar ai.
Ai shtoi se dëshmia e Rubin, si figurë kyçe gjatë procesit të Rambujesë dhe me qasje në informacione të nivelit të lartë amerikan, ka ndryshuar ndjeshëm perceptimin e trupit gjykues për UÇK-në dhe veçanërisht për Thaçin.
“Është dëshmitari më kredibil që deri tani e kemi dëgjuar, është dëshmitari më i informuar dhe është dëshmitari ku ka qenë qendra e vendosjes dhe ku është bërë vlerësimi i organizimit të UÇK-së. Në bazë të vlerësimit nga institucionet amerikane, ai ka informacione më shumë se çdo qytetar i Kosovës, ka informacione më shumë se çdo zyrtar i qeverisë së Serbisë, sepse ata janë që kanë dërguar prova akuzuese. Për fat të keq, dëshmitarët shqiptarë janë frymëzuar me ato prova dhe janë përgatitur nga zyrtarët e Serbisë të dëshmojnë. Edhe trupi gjykues sot do ta ketë krijuar një përshtypje të mirë, tjetër se sa që e ka pasur deri më tani për UÇK-në dhe në mënyrë të veçantë për zotin Thaçi”, përfundoi ai.
Avokati Musa ka komentuar edhe protestën e mijëra shqiptarëve të dielën në Hagë.
“Procesi gjyqësor po shkon drejt fundit, sa i përket protestës ka qenë një protestë e mirë dhe e drejtë, ka respektuar të gjitha ligjet, ka dhënë një mesazh të qartë që populli i Kosovës beson në pafajësinë e tyre. Ajo çka ka qenë më e mira dhe e pritshmja ka qenë fillimi dhe nisja e dëshmisë së zotit Rubin që në start ka dhënë një dëshmi dhe të dhëna që asnjë nga dëshmitarët, qofshin edhe ata dëshmitarët që kanë qenë në favor të të akuzuarve deri sot, nuk janë dëgjuar”, ka deklaruar Musa.
